BallinaDiasporaNGA DËSHPËRIMI TEK BASHKIMI KOMBËTAR!

NGA DËSHPËRIMI TEK BASHKIMI KOMBËTAR!

-

Nga Dr. Sali SEFA, ish-konsull i Kosovës në Cyrih

Sonte, një komunikim ma trazoi qenien njerëzore dhe ma mori gjumin.

Në anën tjetër ishte një mik, një atdhetar dhe veprimtar i çështjes kombëtare, të cilin prej vitesh e kam njohur të fortë, të përmbajtur dhe të palëkundur. Një njeri për të cilin kam thënë shpesh se di të rrezatojë edhe në natën më të zezë.

Por sonte ishte pak më ndryshe.

Fjalët i vinin me nguti,pothuajse pa pikë e pa presje. Nuk priste përgjigje. Nuk ndalej te pyetjet. Sikur brenda tij ishte grumbulluar aq shumë sa kishte vetëm një nevojë: ta nxirrte barrën nga shpirti, para se ajo ta rëndonte edhe më shumë.

Adi Hebibi në një foto kujtimi me Dr. Sali SEFA, ish-konsull i Kosovës në Cyrih

Në mes të atij komunikimi urova ditëlindjen e Adit një çast gëzimi familjar, një urim për një yll drite, për një pjesë të së ardhmes.

Por,edhe urimi , sonte, më dukej sikur qëndronte nën hijen e një shqetësimi shumë më të madh.

E njoh mirë këtë njeri. E njoh veprimtarinë e tij, përkushtimin, sakrificën dhe respektin që ka fituar ndër vite në komunitetin tonë dhe më gjerë.

Prandaj, një fjali e tij më goditi më shumë se gjithçka tjetër:

“Kur po eci,sytë e mi kanë filluar të shikojnë vetëm te majat e këpucëve.”

Aty, ndoshta, ishte e gjithë pesha e komunikimit të kësaj nate.

Sepse kur një njeri që për dekada ka ecur me kokën lart dhe sytë drejt horizontit fillon të shikojë vetëm tokën para këmbëve të veta, nuk kemi të bëjmë vetëm me lodhjen!

Kemi të bëjmë me dëshpërimin.

Me atë lloj dëshpërimi që nuk bërtet, por hesht.
Që nuk rrëzon dyer, por e ul kokën.
Që nuk e humb domosdoshmërisht rrugën, por fillon të mos e shohë më horizontin.!!!

Verdikti i 16 shtatorit, pavarësisht vlerësimeve dhe interpretimeve juridike që mund t’i bëhen, është përjetuar nga shumë atëdhetarë si një goditje e rënë nga qielli. Dhe goditje të tilla nuk prodhojnë vetëm zemërim. Ato mund të prodhojnë diçka edhe më të rrezikshme: humbjen e besimit.

Prandaj, “majat e këpucëve” nuk janë më vetëm metafora e mikut tim.

Mund të jenë metafora e një gjendjeje më të gjerë.

E një shoqërie të lodhur nga padrejtësitë!
E njerëzve që kanë dhënë shumë dhe sot pyesin veten se ku përfundoi sakrifica e tyre.
E një populli që, pas shumë betejash historike, përsëri detyrohet të kërkojë përgjigje për të ardhmen e vet.

Por, miku im, historia nuk është shkruar nga ata që kanë qëndruar përgjithmonë duke shikuar majat e këpucëve.

Historia është shkruar nga njerëzit që, edhe pasi janë rrëzuar, kanë gjetur forcën ta ngrenë përsëri kokën e sytë ta shikojnë horizontin;

Sepse asnjë dëshpërim nuk duhet të bëhet atdhe e vendbanim!

Asnjë humbje besimi nuk duhet të bëhet mënyrë jetese.!

Asnjë natë, sado e gjatë të jetë, nuk ka të drejtë të na bindë se mëngjesi nuk ekziston.

Mengjesi do të zbardhë,
Jo për të harruar atë që ka ndodhur, por për ta kuptuar më qartë se çfarë duhet të bëjmë.

Jo përmes urrejtjes.
Jo përmes përçarjes.
Jo duke e kthyer dëshpërimin kundër njëri-tjetrit.

Por përmes vetëdijes, solidaritetit, dinjitetit dhe aftësisë për t’u bashkuar rreth asaj që na tejkalon si individë.

Popujt nuk maten vetëm me mënyrën se si festojnë fitoret.

Ata maten, mbi të gjitha, me mënyrën se si ngrihen pas goditjeve.

Dhe ndoshta pikërisht këtu duhet të fillojë pyetja jonë më e madhe:

Çfarë bëjmë me gjithë këtë dhimbje?

A e lëmë të na përçajë e të na ulë kokën, apo e shndërrojmë në vetëdije, në mobilizim dhe në kërkim të një horizonti të përbashkët?

Për mua, rruga është e qartë:

Nga dëshpërimi te shpresa.
Nga dhimbja te qëndrueshmëria.
Nga përçarja te bashkimi.
Nga majat e këpucëve — përsëri drejt horizontit.
Pyetje:
A ka ardhur koha që ideali i bashkimit kombëtar të rikthehet në debat si një çështje historike dhe domosdoshmëri?
PO.

Kushtuar Mikut tim!
22/23.09.2026

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

8% e shqiptarëve nuk bëjnë analizat e nevojshme: Arsyeja kryesore, çmimi

0
Shqipëria renditet ndër vendet europiane ku kostoja përbën një nga pengesat kryesore për marrjen e kujdesit shëndetësor. Të dhënat e Eurostat tregojnë se në...