Avokati i Hashim Thaçit, Pierre-Richard Prosper, e ka cilësuar aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj ish-presidentit të Kosovës si “tallje me drejtësinë”, duke paralajmëruar se mbrojtja do ta apelojë vendimin. Pas shpalljes së aktgjykimit, Prosper deklaroi se, sipas tij, procesi gjyqësor ishte i paracaktuar dhe se gjykata ka dhënë një interpretim të historisë që mbrojtja nuk e pranon.
“Është e qartë se ky vendim ishte i paracaktuar. Ajo që pamë sot është një gjykatë që rishkroi historinë. Është fundi i gjykatave ndërkombëtare. E injoruan mbrojtjen”, deklaroi Prosper.
Avokati foli edhe për përmbajtjen e aktgjykimit, duke pretenduar se vendimi e lidh Thaçin me një organizatë kriminale. Ai bëri të ditur se kishte komunikuar me Thaçin pas shpalljes së vendimit dhe se ish-presidenti i kishte shprehur mirënjohje për mbështetjen e qytetarëve të Kosovës.
“Thaçi është i gatshëm të vazhdojë të luftojë për veten dhe për popullin e Kosovës”, u shpreh Prosper.
Ai tregoi edhe për reagimin e tij gjatë momentit të shpalljes së vendimit, duke thënë se kishte reaguar fizikisht kur gjyqtari shqiptoi formulimin “Në emër të popullit të Kosovës”.
Prosper iu drejtua gjithashtu Kuvendit të Kosovës, duke kërkuar që deputetët të shqyrtojnë raportin dhe marrëdhënien e Kosovës me Dhomat e Specializuara.
Sipas tij, institucionet e Kosovës duhet të marrin një vendim sovran lidhur me të ardhmen e kësaj marrëdhënieje, duke argumentuar se një veprim i tillë do të ishte në interes të vendit.
“Nëse do të isha deputet, që nga nesër do ta tërhiqja mbështetjen për këtë gjykatë”, deklaroi Prosper.
Mbrojtja e Thaçit pritet që në vijim të ndërmarrë hapat ligjorë për apelimin e aktgjykimit, transmeton euronewsal.










