Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka reaguar pas shpalljes së aktgjykimit nga Dhomat e Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi.
Ahmeti e ka cilësuar vendimin si të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes, duke bërë thirrje për maturi dhe unitet në këto momente të rënda.
“Vendimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është një vendim që e konsideroj të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes. Në këto momente të rënda, bëj thirrje për maturi dhe unitet. Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë”, shkroi Ahmeti.
Ai kujtoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e vendit. Ahmeti theksoi se pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, që për vite rënduan mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u shndërruan në akuza në këtë proces, ndërsa Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit, duke potencuar se UÇK kishte si objektiv pavarësinë e Kosovës – një objektiv që u arrit.
“Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve”, theksoi Ahmeti, duke shtuar se aktakuza i ngarkonte Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me përgjegjësi për një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998-1999, por se beson që edhe këto akuza do të rrëzohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor.
Ai nënvizoi se procesi nuk përfundon këtu dhe se mbrojtja do të vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund.
“Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel”, përfundoi Ahmeti.
Reagimi i plotë:
Vendimi i sotëm ndaj Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit është një vendim që e konsideroj të padrejtë dhe thellësisht zhgënjyes.
Në këto momente të rënda, bëj thirrje për maturi dhe unitet. Nuk duhet të biem në asnjë grackë që synon të krijojë tensione, përçarje apo të njollosë luftën çlirimtare të popullit në Kosovë.
UÇK-ja lindi si përgjigje ndaj shtypjes dhe luftoi për lirinë e Kosovës. Pretendimet e dikurshme për trafikim organesh, që rënduan për vite mbi UÇK-në dhe drejtuesit e saj, nuk u shndërruan në akuza në këtë proces. Po ashtu, sot Gjykata i shpalli të pafajshëm të akuzuarit për krime kundër njerëzimit; dhe potencoi se UÇK kishte pasur objektiv pavarësine e Kosovës, objektiv ky që edhe u arrit. Këto janë fakte që duhet të kujtohen sa herë që dikush përpiqet ta paraqesë UÇK-në si ndërmarrje kriminale.
Aktakuza i ngarkonte Thaçin, Krasniqin, Veselin dhe Selimin me përgjegjësi për një sërë krimesh të pretenduara gjatë viteve 1998-1999. Besojmë se edhe këto akuza do të rrëzohen në procesin e mëtejshëm gjyqësor, ashtu siç nuk u materializuan pretendimet e dikurshme për trafikim organesh.
Procesi nuk përfundon këtu. Besojmë se mbrojtja do ta vazhdojë betejën juridike në Gjykatën e Apelit, duke kundërshtuar gjetjet e shkallës së parë dhe duke kërkuar drejtësi deri në fund.
Lufta e UÇK-së ishte luftë për liri. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet dhe sakrifica e një populli të tërë nuk mund të vihet në bankën e të akuzuarve. Me besim në drejtësi, beteja vazhdon në apel!, transmeton rtsh.










