
Nga Dashnim HEBIBI
Në jetën publike, shpesh nuk është e vështirë të dallosh zërin e lartë. Më e vështirë është të dallosh karakterin. Ka njerëz që dje e kishin gojën plot sharje, akuza e fjalë të rënda, ndërsa sot, sapo u nevojiten disa poena, disa favore apo një interes i vogël, harrojnë gjithçka që kanë thënë. Ata që dje i sulmonin, sot i përshëndesin; ata që i quanin të papranueshëm, sot u afrohen me përulësi.
Kjo nuk është guxim. Është mungesë qëndrueshmërie.
Fjala e rëndë mund të krijojë përshtypjen e forcës, por forca e vërtetë nuk matet me numrin e sharjeve dhe as me zhurmën që bën dikush. Ajo matet me aftësinë për të qëndruar në të njëjtin parim edhe atëherë kur ky qëndrim nuk sjell asnjë përfitim. Njeriu me parime nuk ka nevojë të poshtërojë të tjerët për t’u ngritur vetë. Ai nuk e ndryshon qëndrimin sa herë ndryshon interesi. Mund të gabojë, mund të ndryshojë mendim, mund edhe të kërkojë falje, por këtë e bën hapur dhe me përgjegjësi, jo duke harruar fjalët e djeshme sapo paraqitet një mundësi e re. Sepse ekziston një dallim i madh mes ndryshimit të mendimit dhe ndryshimit të qëndrimit për interes.
Të ndryshëm në mendime, të bashkuar në qëllim
Një shoqëri e shëndoshë nuk ka nevojë që të gjithë të mendojnë njësoj. Përkundrazi, dallimet në mendime janë pjesë e çdo shoqërie të gjallë. Ajo që na duhet është të dimë të bashkëjetojmë me këto dallime pa e kthyer fjalën në armë kundër njëri-tjetrit. Mund të mos pajtohemi. Mund të kritikojmë. Mund të kundërshtojmë vendime, qëndrime e ide. Por kritika nuk duhet të shndërrohet në poshtërim dhe mospajtimi në urrejtje. Fjala ka peshë. Prandaj duhet përdorur me përgjegjësi.










