BallinaDiaspora“Beyond the Runway”, kur moda kthehet në forcë, shpresë dhe motivim

“Beyond the Runway”, kur moda kthehet në forcë, shpresë dhe motivim

-

Nga Sokol Paja

Spektakli “Beyond the Runway”, i ideuar nga stilistja shqiptare Lejda Troci dhuroi një emocion shumë të veçantë njerëzor, kulturor e patriotik për bashkatdhetarët shqiptarë në Manhattan, në një spektakël që shkoi përtej modës dhe pasarelës, duke dhënë mesazhe të fuqishëm për gratë që kanë përballuar betejën me kancerin: jeta vazhdon, shpresa mbetet dhe ëndrrat mund të rilindin edhe pas sfidave më të vështira. Nën tingujt e këngës atdhetare “Moj e bukura Arbëri”, mjekë shqiptarë, diplomatë, inxhinierë, studentë, artistë, gazetarë, drejtues organizatash e shoqatash, profesionistë të spikatur, miq e bashkëpunëtorë shqiptarë u bënë pjesë e kësaj ëndrre, duke dëshmuar se solidariteti, dashuria dhe komuniteti mund të shndërrohen në forcë, besim dhe shpresë.

Arti bashkon, promovon dhe forcon komunitetin shqiptar. Çdo veshje e koleksionit të shfaqur në spektakël mbarte një histori personale, një emocion dhe një simbol të forcës, dashurisë, jetës. Punimet me dorë, qëndisjet dhe punimet me grep sollën në pasarelë një pjesë të traditës së lashtë shqiptare, ndërsa ngjyrosja natyrale e pëlhurave me fruta përcjell një trashëgimi të ruajtur nga nënat dhe gjyshet shqiptare. Një prej krijimeve në veshje është dhuruar për Memorial Sloan Kettering Cancer Center, të ardhurat do t’i kushtohen kërkimit shkencor për kancerin e gjirit. Spektakli “Beyond the Runway” erdhi si një dëshmi e vlerave shqiptare, e dashurisë, kujdesit, miqësisë dhe fuqisë që lind kur njerëzit qëndrojnë së bashku në ditë dhe kohë të vështira.

“Beyond the Runway” udhëhequr nga kompania e themeluar nga Lejda Troci “A Tangerine Design” nuk ishte thjesht një spektakël mode; ishte një rrëfim i forcës njerëzore, i një gruaje që e ktheu një betejë të vështirë në frymëzim dhe një ëndërr personale në një mesazh shprese për motrat, nënat dhe vajzat shqiptare. Çdo veshje që u shfaq në sfilatë përmbante një kujtim, një dhimbje, një lot, një buzëqeshje dhe mbi të gjitha, një dritë, një jetë, një shpresë./GD

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

VATRA hap dyert e Shkollës Shqipe në Beverly: Gjuha dhe tradita...

0
Beverly, Massachusetts – Federata Panshqiptare “VATRA” u bën thirrje prindërve shqiptarë që jetojnë në veri të Bostonit të regjistrojnë fëmijët e tyre në Shkollën...