Haxhiu mori pjesë në shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës
Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë sonte në shënimin e Ditës Kombëtare të Zvicrës, vendi me të cilin Kosova ka ndërtuar ndër vite lidhje të veçantë, të mbështetur në miqësi, bashkëpunim dhe, mbi të gjitha, në lidhjet mes njerëzve tanë. “Në fjalën time theksova se, për shumë familje në Kosovë, Zvicra është prej kohësh pjesë e jetës së përditshme. Në Zvicër jetojnë prej vitesh shumë familjarë e miq tanë, ndërsa atje janë rritur edhe breza të tërë që vazhdojnë ta mbajnë të fortë lidhjen me Kosovën. Kjo afërsi mes njerëzve ka bërë që Zvicra të mos na jetë dukur kurrë larg”, është shprehur U.D. Presidentja Haxhiu.
Ajo më tej ka theksuar se Kosova nuk e harron mbështetjen e Zvicrës në vitet më të vështira të historisë sonë dhe kontributin e saj të vazhdueshëm në ndërtimin e institucioneve, zhvillimin e vendit dhe përkrahjen e qytetarëve tanë.
Sipas U.D. Presidentes Haxhiu, sot, marrëdhënia jonë zhvillohet përmes bashkëpunimit politik, sigurisë, arsimit, ekonomisë dhe kulturës, por mbi të gjitha përmes njerëzve që i lidhin të dyja vendet. Vura në pah se kontributi i shqiptarëve nga Kosova në Zvicër shihet tashmë në shumë fusha. Futbolli është ndoshta shembulli më i dukshëm, por për fat të mirë jo i vetmi. Nga politika te shkenca, njerëz si Ylfete Fanaj dhe Ardian Jusufi tregojnë se ata që dikur gjetën strehë dhe mundësi në Zvicër, sot janë pjesë aktive e zhvillimit dhe e suksesit të saj. Shpreha krenarinë për këto histori dhe mirënjohjen ndaj Zvicrës, ku shumë nga njerëzit tanë gjetën siguri, ndërtuan jetën e tyre dhe u bënë pjesë e rëndësishme e shoqërisë zvicerane”, ka theksuar U.D. Presidentja Haxhiu.
Në fund, U.D. Presidentja Haxhiu popullit zviceran i ka uruar paqe, mirëqenie dhe shëndet, ndërsa miqtë tanë zviceranë në Kosovë i ka falënderuar për miqësinë dhe rolin e tyre të rëndësishëm në rrugëtimin e vendit tonë./BS
https://www.facebook.com/RKSPresidenca/posts/122109347078357940?ref=embed_post










