
Përgatiti Dashnim HEBIBI
Bernë, 10 shtator, 2026 – Ardhja e ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesisë së Tij Rexhep Demiri, nga dita e parë e tij duket se ka sjellë një frymë të re në marrëdhëniet me mërgatën shqiptare edhe ate me fakte. Në një kohë kur bashkimi, bashkëpunimi dhe përfaqësimi dinjitoz i shqiptarëve në diasporë janë më të nevojshëm se kurrë, aktiviteti i tij i pandërprerë po dëshmon se një përfaqësues diplomatik mund të jetë edhe urë lidhëse mes njerëzve, profesionistëve, afaristëve dhe institucioneve. Ambasadori Demiri është përfshirë intensivisht në takime dhe kontakte me mërgatën. Angazhimi i tij, shpesh me orare të gjata pune, mbi 10 e më shumë orë në ditë, përcjell një mesazh të qartë: detajet e detyrës nuk janë thjesht protokoll diplomatik, por përgjegjësi dhe mundësi për të bërë diçka konkrete. Ajo që bie veçanërisht në sy është këmbëngulja e tij për të parë njerëzit të bashkohen rreth ideve, projekteve dhe interesave të përbashkëta. Për ambasadorin Demiri, çdo takim ku profesionistë apo afaristë afrohen me njëri-tjetrin, shkëmbejnë ide dhe kërkojnë mundësi bashkëpunimi, është një hap përpara. Një shembull i tillë ishte edhe takimi i zhvilluar së fundmi në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë me Kryesinë e shoqatës “Alba Health”, të kryesuar nga z. Ekrem Hasani, së bashku me z. Nezir Tishuki.

Ambasadori Demiri e përshkroi takimin me këto fjalë:
“Pata nderin dhe kënaqësinë të pres në Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë Kryesinë e shoqatës “Alba Health”, të kryesuar nga z. Ekrem Hasani, së bashku me z. Nezir Tishuki.
Të dy veprimtarët njihen për sukseset dhe angazhimin e tyre ndër vite, ndërsa z. Ekrem Hasani gëzon një respekt të veçantë edhe për veprimtarinë e tij humanitare dhe bamirësinë e vazhdueshme. Kontributi i tij nuk është kufizuar vetëm në atdhe, por është shtrirë edhe në Zvicër dhe më gjerë, përmes mbështetjes së iniciativave dhe projekteve konkrete që kanë pasur ndikim të drejtpërdrejtë në komunitet dhe në jetën e njerëzve. Gjatë takimit zhvilluam një bashkëbisedim konstruktiv dhe përmbajtësor mbi mundësitë për avancimin e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë, me fokus të veçantë në ndërlidhjen dhe rrjetëzimin e profesionistëve të shëndetësisë, shkëmbimin e përvojave dhe ekspertizës, si dhe në forcimin e bashkëpunimit me institucionet përkatëse në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Në këtë kuadër, diskutuam edhe për mundësitë e zhvillimit të aktiviteteve dhe nismave të përbashkëta, si dhe për përfshirjen e studentëve të mjekësisë dhe infermierisë, me synim krijimin e mundësive të reja për shkëmbim profesional, zhvillim të mëtejshëm dhe ndërtimin e lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet profesionistëve dhe institucioneve. Shpreha vlerësimin tim për angazhimin dhe punën e shoqatës “Alba Health”, si dhe për kontributin e saj në ndërlidhjen dhe fuqizimin e profesionistëve shqiptarë të shëndetësisë në Zvicër.
Theksova se Ambasada e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bernë mbetet e gatshme, në kuadër të kompetencave të saj, të mbështesë nisma konkrete që kontribuojnë në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës, si dhe në fuqizimin e rolit dhe kontributit të mërgatës sonë. Besoj se bashkëpunimi me profesionistët dhe organizatat e mërgatës sonë përbën një vlerë të rëndësishme për ndërtimin e urave të reja profesionale dhe institucionale me vendin amë. E falënderoj Kryesinë e “Alba Health” për vizitën dhe bashkëbisedimin, duke shprehur gatishmërinë për të vazhduar komunikimin dhe për të konkretizuar mundësitë e bashkëpunimit në të ardhmen.” Ky takim është vetëm një nga shembujt e një qasjeje që ambasadori Demiri po përpiqet ta ndërtojë dhe shumë ka ndërtuar: më shumë komunikim, më shumë bashkëpunim dhe më shumë lidhje mes shqiptarëve në Zvicër dhe institucioneve të vendit amë.
Mërgata shqiptare në Zvicër e di mirë se rruga përpara nuk ishte dhe nuk do të jetë e lehtë. Do të ketë shumë sfida, pritshmëri dhe kërkesa. Por pikërisht për këtë arsye, prej ardhjes së një ambasadori që kërkon të jetë pranë njerëzve, që i dëgjon dhe që gëzohet kur sheh shqiptarët të bashkohen rreth ideve të mira, shihet, është pa e do të shihet edhe në të ardhmen si një shenjë pozitive. Mund të kemi shumë vështirësi përpara, por mërgata e di se me njerëz që punojnë, bashkojnë dhe krijojnë ura, gjithmonë ekziston mundësia që vështirësitë të kthehen në mundësi. Ambasadori Rexhep Demiri me ritmin e tij i punës dhe takimeve gjatë këtyre viteve po japin një sinjal të qartë: mërgata nuk duhet vetëm të përfaqësohet – ajo duhet të dëgjohet, të lidhet dhe të jetë pjesë aktive e bashkëpunimit.

( Ekrem Hasani pranoi me kënaqësi nga ambasadori Rexhep Demiri librin “Rexhep Demiri – Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”)
Gjatë këtij takimi, ambasadori Rexhep Demiri u dhuroi të pranishmëve edhe librin e tij, “Rexhep Demiri – Dritëhijet e një rrugëtimi diplomatik”, të autorëve PhD. Dashnim Hebibi dhe Florim Useini. Libri, i botuar para disa muajsh, është mirëpritur me interes të veçantë jo vetëm në Zvicër, por edhe në shumë vende ku jeton dhe vepron mërgata shqiptare, si dhe në atdhe. Përmes tij, lexuesit njihen më nga afër me rrugëtimin diplomatik të Rexhep Demirit, përvojat e tij dhe sfidat që e kanë shoqëruar gjatë karrierës së tij në diplomaci. Hasani, i njohur për sukseset e tij në fushën e biznesit, por edhe për veprimtarinë e tij të gjerë humanitare dhe bamirëse, e vlerësoi këtë dhuratë si një kujtim të veçantë dhe një dëshmi të rrugëtimit diplomatik të ambasadorit Demiri. Është e dukshme se shumë mërgimtarë, nga të gjitha trevat shqiptare dhe jo vetëm nga Republika e Maqedonisë së Veriut, e dëshirojnë praninë e ambasadorit Rexhep Demiri në manifestimet dhe aktivitetet e tyre. Gjatë viteve të tij në diplomaci, ambasadori Demiri është përpjekur të jetë sa më pranë mërgatës dhe të marrë pjesë në sa më shumë organizime, ndonëse është e pamundur të jetë fizikisht i pranishëm në çdo takim e manifestim. Megjithatë, edhe atëherë kur nuk ka mundur të jetë i pranishëm, ai nuk i ka harruar organizatorët dhe mërgimtarët. Përmes përshëndetjeve, urimeve dhe mesazheve të tij, ka përcjellë vazhdimisht respektin dhe vlerësimin për punën dhe aktivitetin e tyre. Për ambasadorin Demiri, mërgata nuk është vetëm një komunitet që duhet vizituar apo përfaqësuar në raste festive. Ajo është një potencial i madh njerëzor, profesional dhe ekonomik, i cili duhet të lidhet sa më fuqishëm me vendin amë. Në këtë frymë, ai ka promovuar vazhdimisht idenë që potenciali i mërgatës shqiptare të shndërrohet në investime dhe projekte konkrete në atdhe. Qoftë në fushën politike, shkencore, ekonomike, kulturore apo sportive, Demiri e sheh diasporën si një forcë që mund të japë shumë më tepër për zhvillimin e vendit. Në veçanti, investimet e mërgatës në atdhe i konsideron të domosdoshme, jo vetëm për zhvillimin ekonomik, por edhe për krijimin e lidhjeve të qëndrueshme ndërmjet njerëzve, institucioneve dhe profesionistëve që jetojnë jashtë vendit dhe atyre që veprojnë në vendlindje.
Mesazhi i tij është i qartë:
mërgata nuk duhet të mbetet vetëm spektatore e zhvillimeve në atdhe, por të jetë pjesëmarrëse aktive në ndërtimin e së ardhmes së tij.









