BERN – Në Zvicër mund të bëhet më e kushtueshme shkelja e rregullave nga çiklistët. Zyra Federale e Rrugëve (Astra) po shqyrton rritjen e gjobave për përdorimin e telefonit celular dhe sjellje të tjera shpërqendruese gjatë ngasjes së biçikletës. Pro Velo Schweiz e kritikon planin dhe kërkon më shumë investime në infrastrukturë të sigurt, transmeton 20min.ch. Aktualisht, një çiklist që kapet duke përdorur telefonin në mënyrë të palejuar gjatë ngasjes mund të gjobitet me 40 franga. Në të ardhmen, kjo shumë mund të rritet ndjeshëm. Zëdhënësi i Astra-s, Thomas Rohrbach, ka deklaruar se autoriteti federal mund ta imagjinojë një rritje të kësaj gjobe. Megjithatë, ende nuk është përcaktuar se sa do të jetë shuma e re. Propozimi pritet të hidhet për diskutim në kuadër të një procedure të ardhshme konsultimi.
Më shumë të plagosur rëndë
Në qendër të diskutimit janë edhe statistikat e aksidenteve rrugore. Edhe pse në vitin 2025 pati më pak viktima në trafikun rrugor zviceran, numri i personave të plagosur rëndë u rrit. Sipas të dhënave për vitin 2025, 671 çiklistë u plagosën rëndë dhe 20 humbën jetën. Sa u përket biçikletave elektrike, u regjistruan 586 persona të plagosur rëndë dhe 24 viktima. Në 95 aksidente të rënda me biçikleta dhe në 89 aksidente të rënda me E-Bike, një rol luajtën pakujdesia ose shpërqendrimi. Për Astra-n, siguria rrugore kërkon një kombinim të masave parandaluese, infrastrukturës së përshtatshme dhe rregullave më të synuara. “Çdo aksident i rëndë është një aksident i tepërt”, argumenton autoriteti federal.
Studiuesit po shqyrtojnë shkaqet e shpërqendrimit
Për të përcaktuar se cilat burime të shpërqendrimit janë më të rëndësishme gjatë ngasjes së biçikletës, një ekip kërkimor i Fachhochschule Nordwestschweiz po zhvillon një projekt të mbështetur nga Bundi. Studiuesit po shqyrtojnë gjithashtu se cilat masa mund të ndihmojnë në uljen e shpërqendrimit. Rezultati pritet të jetë një katalog me rekomandime për masa të mundshme. Sipas Astra-s, rezultatet e këtij projekti do të përdoren për të vlerësuar se cilat masa shtesë janë vërtet të nevojshme dhe efektive.
Pro Velo: “Astra po shmang problemin kryesor”
Plani për gjoba më të larta nuk pritet mirë nga Pro Velo Schweiz. Presidentja Delphine Klopfenstein Broggini kritikon faktin se, sipas saj, Bundi po e vendos shumë përgjegjësinë mbi çiklistët. Sipas saj, shpërqendrimi është problem i të gjithë pjesëmarrësve në trafik dhe jo vetëm i atyre që lëvizin me biçikletë. Pro Velo kërkon mbi të gjitha rrugë më të sigurta për biçikleta, shpejtësi më të ulëta dhe mbrojtje më të madhe të çiklistëve nga automjetet gjithnjë e më të mëdha dhe më të rënda.
“Me theksin te pakujdesia e çiklistëve, Astra po e shmang problemin kryesor”, kritikon Klopfenstein Broggini. Sipas saj, një nga shkaqet kryesore të rrezikut është infrastruktura e pamjaftueshme. Edhe Astra e pranon se infrastruktura është një faktor i rëndësishëm. Megjithatë, autoriteti federal e sheh rritjen e mundshme të gjobave si vetëm një pjesë të një pakete më të gjerë masash për rritjen e sigurisë në rrugët zvicerane, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALforum.ch.
( Foto nga Adi HEBIBI )










