BallinaKultura“Ditari i një fotografi të luftës”, dëshmitë e Kosovës përmes objektivit të...

“Ditari i një fotografi të luftës”, dëshmitë e Kosovës përmes objektivit të Visar Kryeziut

-

Në Galerinë e Arteve të Prishtinës është hapur ekspozita “Ditari i një fotografi të luftës”, e fotografit Visar Kryeziu, e cila sjell për publikun fotografi të realizuara gjatë luftës së Kosovës dhe në vitet e para pas saj.

Fotografitë e luftës, dhimbja e popullatës civile, rezistenca, çlirimi dhe pasojat e një periudhe të rëndë të historisë së Kosovës janë bërë pjesë e ekspozitës “Ditari i një fotografi të luftës”, e cila është hapur në Galerinë e Arteve të Prishtinës.

Ekspozita, e kuruar nga Eliza Hoxha, përmbledh një pjesë të arkivit fotografik të Visar Kryeziut, i cili gjatë viteve 1998–1999 dokumentoi përmes aparatit fotografik zhvillimet e luftës në Kosovë. Përmes imazheve të ekspozuara, publiku përballet me pamje që dëshmojnë vuajtjet e qytetarëve, qëndresën dhe rezistencën, por edhe momentet e çlirimit dhe realitetin e pasluftës.

Hapja e ekspozitës është mbështetur edhe nga Komuna e Prishtinës, si pjesë e aktiviteteve që synojnë ruajtjen dhe promovimin e kujtesës historike përmes artit dhe fotografisë.

Kryetari i Prishtinës, Perparim Rama, gjatë hapjes së ekspozitës e ka vlerësuar fotografinë si një dëshmi që mbetet e gjallë dhe nuk hesht.

“Ky nuk është vetëm ditari i Visarit. Është ditari ynë i dhimbjes, qëndresës, sakrificës dhe shpresës së një populli”, ka shkruar Rama.

Përmes kësaj ekspozite, fotografitë shndërrohen jo vetëm në vepra artistike, por edhe në dokumente të një periudhe të rëndësishme historike. Ato ruajnë momente dhe histori njerëzore që vazhdojnë të jenë pjesë e kujtesës kolektive të shoqërisë kosovare.

Ekspozita është hapur në kuadër të aktiviteteve të platformës “Liria Ka Emër” dhe në prag të Marshit për Liri, i cili do të mbahet më 12 shtator në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Marshi organizohet në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, ndërsa ekspozita e Visar Kryeziut i paraprin këtij aktiviteti duke rikthyer në vëmendje përmes fotografisë momente nga lufta dhe periudha e pasluftës në Kosovë. Në këtë mënyrë, “Ditari i një fotografi të luftës” shërben si një kujtesë vizuale e një historie që, përmes fotografive, vazhdon të flasë edhe sot, transmeton rtk.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

MËSIMI I GJUHËS SHQIPE NË FINLANDË, GJUHË DHE IDENTITET KOMBËTAR TE...

0
Mësuese Teuta Dautaj: "Ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës amtare te fëmijët tanë është dhurata më e madhe që mund t'u bëjmë për të ardhmen...