BallinaDiaspora“Rruga e Religjioneve 2026” bashkoi komunitetet fetare në Wil

“Rruga e Religjioneve 2026” bashkoi komunitetet fetare në Wil

-

Të premten, më 4 shtator 2026, në qytetin e Wilit u mbajt aktiviteti tradicional ndërfetar “Weg der Religionen – Rruga e Religjioneve”. Tema e këtij viti ishte: “Roli dhe pozita e gruas”.

Udhëtimi filloi në Kishën Katolike St. Peter, vazhdoi në Xhaminë Wil dhe përfundoi në Kishën Ungjillore Kreuzkirche. Në secilin prej këtyre vendeve të adhurimit u paraqit këndvështrimi përkatës fetar mbi dinjitetin, rolin dhe përgjegjësinë e gruas.

Në Kishën St. Peter u theksua se gruaja dhe burri kanë të njëjtin dinjitet para Zotit dhe se gratë kanë dhënë një kontribut të rëndësishëm në jetën dhe historinë e Kishës Katolike.

Në Xhaminë Wil, kryeimami Bekim Alimi i përshëndeti të pranishmit dhe bëri një prezantim të shkurtër të xhamisë, historikut dhe veprimtarisë së saj. Më pas, imami Enes Koshi paraqiti këndvështrimin islam mbi rolin dhe pozitën e gruas.

Në fillim u recituan ajete nga surja Merjem, të cilat flasin për pozitën e lartë dhe të nderuar që Merjemja gëzon në Islam. Më pas u theksua se burri dhe gruaja janë krijuar nga një qenie e vetme dhe kanë të njëjtin dinjitet njerëzor para Allahut. Besimtarët dhe besimtaret janë bashkëpunëtorë të njëri-tjetrit në përhapjen e së mirës, kundërshtimin e së keqes dhe marrjen e përgjegjësisë për shoqërinë.

Përmes shembujve të Hatixhes dhe Aishes, Allahu qoftë i kënaqur me to, u tregua se gratë, që nga fillimi, kanë qenë pjesëmarrëse aktive në zhvillimin e jetës fetare, arsimore, ekonomike dhe shoqërore të myslimanëve. Gjithashtu u nënvizua nevoja për t’i dalluar mësimet e Islamit nga disa tradita, zakone dhe mendësi patriarkale, të cilat në vende të caktuara kanë sjellë padrejtësi dhe kufizime ndaj grave.

Një nga mesazhet qendrore të fjalimit ishte se nuk mjafton vetëm të thuhet: “Islami nuk e ka shtypur gruan.” Pyetja vendimtare është nëse sjellja jonë ndaj grave e pasqyron vërtet drejtësinë, mëshirën dhe dinjitetin njerëzor që na mëson Islami.

Gjatë qëndrimit në xhami, pjesëmarrësit patën mundësinë të njiheshin më nga afër me hapësirën dhe jetën fetare të komunitetit mysliman, si dhe të përcillnin faljen e namazit.

Në stacionin e fundit, në Kreuzkirche, u prezantua këndvështrimi ungjillor. Në qendër të fjalimit ishte pyetja: “Kush e merr sot mikrofonin dhe kujt i dëgjohet zëri?” Përmes shembujve biblikë u theksua roli i grave në dëshmimin, udhëheqjen dhe përcjelljen e mesazhit fetar.

Aktiviteti u përmbyll me një Apero dhe bashkëbisedim të hapur në Qendrën Famullitare Ungjillore. Pjesëmarrësit patën mundësi të shkëmbenin mendime, të parashtronin pyetje dhe të njiheshin më mirë me njëri-tjetrin.

“Rruga e Religjioneve” dëshmoi edhe një herë se takimi i drejtpërdrejtë, dëgjimi, respekti dhe dialogu i sinqertë janë rruga më e mirë drejt njohjes dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Xhamia Wil është e lumtur që ishte përsëri pjesë e këtij aktiviteti dhe se kontribuoi në forcimin e bashkëjetesës dhe respektit ndërmjet komuniteteve fetare në qytetin tonë.

Aktiviteti u realizua nga grupi ndërfetar IDA Wil, me angazhimin e Sabine Kutsch, Dominik Grütter, kryeimamit Bekim Alimi, imamit Enes Koshi dhe Julia Bürgi nga Zyra për Integrim e qytetit të Wilit, transmeton xhamia Wil, përcjell helveticALforum.ch.

Loading posts…
- Reklama -spot_img

Duhet ti lexosh

Rikthimi i Madh i Kinematografisë

0
Pas një ndërprerjeje të gjatë prej 14 vitesh, Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar është rishfaqur me gjithë shkëlqimin e tij në Tiranë, duke u...