Pas një ndërprerjeje prej disa vitesh, rikthehet Festivali Kombëtar i Filmit Shqiptar, një prej aktiviteteve më të rëndësishme kushtuar kinematografisë shqiptare.
Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar rikthimin e festivalit si një ngjarje që feston artin, historinë dhe të ardhmen e kinematografisë shqiptare.
“Mirëmëngjes dhe me rikthimin e Festivalit Kombëtar të Filmit Shqiptar, i cili nga sot deri më 12 shtator do të festojë artin, historinë dhe të ardhmen e kinematografisë sonë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Festivali do të zhvillohet nga 2 deri më 12 shtator, duke sjellë në vëmendje krijimtarinë dhe trashëgiminë e kinematografisë shqiptare, përmes një programi të dedikuar filmit dhe figurave që kanë lënë gjurmë në historinë e tij.
Ceremonia e çeljes do t’i kushtohet kolosëve të kinemasë shqiptare, në një homazh për personalitetet që kanë kontribuar ndër vite në zhvillimin e filmit shqiptar.
Në kuadër të festivalit do të ndahen gjithashtu çmime karriere për 15 figura të njohura të kinematografisë shqiptare, si vlerësim për kontributin e tyre artistik dhe profesional.
Rikthimi i festivalit synon të krijojë një hapësirë ku ndërthuren trashëgimia e filmit shqiptar me prurjet e reja të kinematografisë, duke vendosur në qendër autorët, aktorët dhe krijuesit që kanë formësuar ndër vite identitetin e saj.
Përgjatë 11 ditëve, aktivitetet do të sjellin në vëmendje historinë e kinematografisë shqiptare, ndërsa një rëndësi e veçantë do t’i kushtohet brezit të ri dhe zhvillimeve bashkëkohore të filmit, transmeton rtsh.










