GJENEVË – Në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, në bashkëpunim me Jardin des Disparus dhe me mbështetjen e Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, organizoi një sërë aktivitetesh përkujtimore në nderim të personave të zhdukur me forcë dhe në solidaritet me familjet e tyre. Aktivitetet sollën në qendër të vëmendjes dhimbjen e familjeve që prej vitesh jetojnë mes pritjes, pasigurisë dhe shpresës për të mësuar fatin dhe vendndodhjen e më të dashurve të tyre.
“Ende duke Pritur?” – arti që rikthen dhimbjen e familjeve
Programi nisi me hapjen e ekspozitës “Ende duke Pritur?”, të artistit Artan Korenica. Përmes veprave të tij, ekspozita përcjell dhimbjen e nënës Ferdonije dhe të shumë familjeve të tjera që vazhdojnë të kërkojnë përgjigje për fatin e familjarëve të zhdukur. Ekspozita u shndërrua në një hapësirë reflektimi dhe kujtese, duke e sjellë përmes artit një plagë që vazhdon të mbetet e hapur. Në ceremoninë përkujtimore folën Konsullja e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi, Ambasadori i Republikës së Kosovës në Zvicër, Mentor Latifi, Kryetarja e Komunës së Meyrin, Xhevrie Osmani, përfaqësuesja e Jardin des Disparus, Jenny Bettencourt, si dhe përfaqësuesja e Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, Linda Rexhaj Maliqi.

Tryezë diskutimi për të zhdukurit
Në kuadër të programit u zhvillua edhe një tryezë diskutimi kushtuar çështjes së personave të zhdukur me forcë. Në diskutim morën pjesë përfaqësues të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Agron Limani, kryesues, dhe Kushtrim Gara, udhëheqës i Njësisë, ndërsa nga Jardin des Disparus ishte e pranishme Catherine Haus, presidente e shoqatës. Diskutimi u përqendrua në sfidat që vazhdojnë ta shoqërojnë procesin e zbardhjes së fatit dhe vendndodhjes së personave të zhdukur me forcë, rëndësinë e dokumentimit dhe ruajtjes së kujtesës, si dhe domosdoshmërinë e vazhdimit të përpjekjeve për të vërtetën dhe drejtësinë. Një mesazh i veçantë u përcoll përmes videos nga Grażyna Baranowska, Zëvendëskryesuese e Komitetit të OKB-së për Zhdukjet me Forcë.
Familjet: Pritja vazhdon
Një nga momentet më të ndjeshme të aktivitetit ishte fjala në emër të familjeve të personave të zhdukur. Lutfi Vokshi Ademi ndau me të pranishmit shqetësimet e familjarëve, pritjen e tyre shumëvjeçare dhe dhimbjen që vazhdon të shoqërojë çdo ditë të tyre. Ajo foli edhe për shpresën e krijuar pas gjetjes së fundit të varreve masive, duke theksuar rëndësinë që ka për familjet çdo hap drejt zbardhjes së fatit të të zhdukurve. Për familjet, gjetja e një varri nuk është vetëm një e dhënë përfundimtare mbi fatin e të dashurit, por edhe mundësia për t’i dhënë fund një pritjeje të gjatë dhe për të pasur një vend ku mund të përkujtojnë dhe nderojnë të afërmin e tyre.
“Ferdonija”, rrëfimi i dhimbjes dhe qëndresës

Programi u përmbyll me shfaqjen e filmit dokumentar “Ferdonija”, nga Gazmend Bajri. Filmi sjell një rrëfim të fuqishëm mbi dhimbjen, pritjen dhe qëndresën e familjeve të personave të zhdukur. Përmes historisë së Ferdonijes, filmi përcjell zërin e mijëra familjeve që ende presin përgjigje dhe që, pavarësisht viteve të kaluara, vazhdojnë të kërkojnë të vërtetën. Aktivitetet në Gjenevë shërbyen jo vetëm si një moment përkujtimi, por edhe si një thirrje për të mos lejuar që koha ta zbehë kujtesën për personat e zhdukur dhe dhimbjen e familjeve të tyre. Në përmbyllje, Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë shprehu mirënjohjen për të gjithë pjesëmarrësit dhe bashkëpunëtorët, duke vlerësuar përkushtimin e përbashkët për ruajtjen e kujtesës, dinjitetit dhe të drejtës për të vërtetën, njofton Konsullata e Përgjithshme e Republikës së Kosovës në Gjenevë, përcjell helveticALforum.ch.










