POSTIMET E FUNDIT

Ambasadori i RMV-së në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, përshëndeti manifestimin e LAPSH-it në Kantonin e Cyrihut

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Ceremonia solemne e përfundimit të vitit shkollor dhe e ndarjes së diplomave për nxënësit e Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, e organizuar nga Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) për Kantonin e Cyrihut, u shënua me një atmosferë festive dhe plot emocione. Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë nxënës, prindër, mësues dhe mysafirë të shumtë, të cilët kremtuan një tjetër vit të suksesshëm në shërbim të ruajtjes së gjuhës dhe identitetit kombëtar. Edhe pse për shkak të angazhimeve të parapara nuk pati mundësi të ishte i pranishëm fizikisht në këtë manifestim, Ambasadori i Republikës së Maqedonisë së Veriut në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri, nuk e la pa përshëndetur këtë ngjarje të rëndësishme. Përmes një telegrami përshëndetës, ai përcolli urimet e tij më të përzemërta për nxënësit, prindërit dhe mësuesit, duke shprehur njëkohësisht respektin dhe mirënjohjen për punën e palodhshme që LAPSH-i po bën prej vitesh në ruajtjen dhe kultivimin e gjuhës shqipe në mërgatë. Në mesazhin e tij, ambasadori vlerëson lart misionin e mësuesve shqiptarë, duke e cilësuar atë si një nga misionet më të shenjta kombëtare. Ai thekson se përkushtimi i tyre në edukimin e brezave të rinj dhe në ruajtjen e gjuhës amtare është një kontribut fisnik, i cili do të mbetet i çmuar dhe do të kujtohet me mirënjohje brez pas brezi.

Një falënderim të veçantë ambasadori ua kushton edhe prindërve shqiptarë në Zvicër, të cilët, krahas sfidave të jetës në mërgatë, vazhdojnë t’i edukojnë fëmijët e tyre me dashurinë për gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar. Sipas tij, mbështetja e familjes është themeli mbi të cilin ndërtohet e ardhmja e komunitetit shqiptar dhe garancia që trashëgimia kombëtare do të përcillet te brezat e ardhshëm. Në telegramin e tij përshëndetës, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri shpreh gjithashtu shpresën që në vitet në vijim mësimi plotësues në gjuhën shqipe të ketë mbështetje edhe më të madhe institucionale dhe që numri i nxënësve të vazhdojë të rritet, duke e konsideruar ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare si një mision të përbashkët të gjithë shqiptarëve në diasporë. Një vlerësim të posaçëm ai i kushton edhe shtetit zviceran, i cili krijon mundësitë që fëmijët e komuniteteve të ndryshme të mësojnë dhe të ruajnë gjuhën amtare, duke promovuar bashkëjetesën, respektin dhe diversitetin kulturor. Në fund të mesazhit të tij, ambasadori u drejtohet veçanërisht fëmijëve, duke i inkurajuar që ta ruajnë dhe ta flasin me krenari gjuhën shqipe, sepse ajo është thesari më i madh i identitetit të tyre dhe trashëgimia më e vlefshme që mund t’ua lënë brezave të ardhshëm.

Ai uroi 19 nxënësit që u diplomuan në këtë ceremoni, duke e cilësuar diplomimin e tyre si një moment krenarie për familjet, mësuesit dhe gjithë komunitetin shqiptar në Zvicër.

Në përmbyllje të telegramit të tij, Shkëlqesia e Tij Rexhep Demiri u uroi të gjithë nxënësve, mësuesve dhe prindërve pushime të mbara, shëndet, mbarësi dhe suksese të reja, duke shprehur bindjen se manifestime të tilla janë festë e dijes, e gjuhës shqipe dhe e krenarisë sonë kombëtare. Mesazhi i Ambasadorit Rexhep Demiri ishte një vlerësim i fuqishëm për punën e LAPSH-it, mësuesve dhe prindërve shqiptarë në Zvicër, të cilët me përkushtim po mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin kombëtar. Përkrahja dhe vlerësimi i institucioneve shtetërore për këtë mision fisnik është një nxitje e rëndësishme për të vazhduar me edhe më shumë përkushtim këtë rrugëtim. Ceremoni të tilla dëshmojnë se mësimi plotësues në gjuhën shqipe nuk është vetëm një proces arsimor, por edhe një urë e fortë që lidh brezat e rinj me rrënjët, historinë dhe vlerat e kombit shqiptar. / HelveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB