POSTIMET E FUNDIT

Nga Kanadaja në Berat: Profesor Zeqirja Rexhepi prezanton artin që mban gjallë shpirtin e Kosovës

Përgatiti Dashnim HEBIBI

Edhe pse jeton dhe vepron prej vitesh në Kanada, profesor Zeqirja Rexhepi mbetet i lidhur ngushtë me vendlindjen dhe artin e tij në Gjilanin e bukur. Sa herë që rikthehet në Kosovë, ai nuk ndalet së krijuari, duke dëshmuar se pasioni për pikturën nuk njeh kufij. Dashuria për atdheun dhe për kulturën shqiptare e ka shoqëruar në çdo etapë të jetës artistike, ndërsa këtë herë ai, së bashku me bashkëshorten e tij, shënuan një tjetër sukses të rëndësishëm – kësaj radhe në Shqipëri. Profesor Zeqirja Rexhepi është një nga emrat më të vlerësuar të artit figurativ shqiptar. Ai nuk përdor ngjyrat vetëm për të krijuar forma, por për të rrëfyer histori, për të shprehur emocione dhe për të sjellë kujtime që prekin shpirtin e çdo vizitori. Me një krijimtari të shtrirë në Kosovë, Evropë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, ai ka ndërtuar një identitet artistik që e bën të dallueshëm në skenën ndërkombëtare. 

Pikturat e tij janë një dialog mes dritës dhe hijes, mes nostalgjisë dhe shpresës. Ai e njeh gjuhën e ngjyrave si alfabetin e zemrës, duke i shndërruar ato në një mjet komunikimi që flet pa fjalë. Në çdo telajo bart kujtimet, kulturën dhe shpirtin e Kosovës, duke i dhënë artit të tij një dimension të veçantë njerëzor dhe kombëtar. Suksesi i radhës erdhi në qytetin historik të Beratit, ku në Galerinë e Arteve “Edward Lear”, pranë Qendrës Kulturore “Margarita Tutulani”, u hap ekspozita personale e profesor Zeqirja Rexhepit. Ekspozita prezanton mbi 40 punime, të cilat përfaqësojnë një trashëgimi të pasur emocionale dhe artistike. Përmes teknikës së gjallë dhe energjike të kompozimit, veprat ndërthurin figura muzikantësh të stilizuar, të mbushura me ndjenjën e nostalgjisë, ritmit dhe harmonisë vizuale. Profesori Zeqirja Rexhepi ishte i shoqëruar nga bashkëshortja, vajza, nipërit, dhëndri dhe miq të tjerë nga Shqipëria, Kosova dhe thuajse nga të gjitha trojet shqiptare. Buzëqeshja e tij pasqyron sinqeritetin dhe shpirtbardhësinë që e karakterizon. Krijimet e tij janë origjinale, pa asnjë dogmë shpirtërore, dhe po mirëpriten shumë mirë edhe në Shqipëri.

Çdo pikturë është një rrëfim më vete, një udhëtim në botën e ndjenjave, ku ngjyrat marrin jetë dhe komunikojnë drejtpërdrejt me publikun. Vizitorët kanë vlerësuar jo vetëm mjeshtërinë teknike të artistit, por edhe fuqinë emocionale që përcjellin veprat e tij. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri më 12 korrik 2026, duke u ofruar artdashësve mundësinë të njihen nga afër me krijimtarinë e një prej artistëve më të shquar shqiptarë. 

Me këtë ekspozitë në Shqipëri, profesor Zeqirja Rexhepi konfirmon edhe një herë se arti i vërtetë nuk njeh kufij. Ai vazhdon të jetë një ambasador i denjë i kulturës shqiptare në botë, duke e përfaqësuar me dinjitet Kosovën dhe kombin shqiptar në çdo galeri ku ekspozon veprat e tij.

Intervistë e mëhershme

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB