Përgatiti Dashnim HEBIBI
VADUZ, 2 korrik 2026 – Ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Zvicër, Shkëlqesia e Tij Ermal Dredha, ka paraqitur zyrtarisht Letrat Kredenciale si Ambasador i Republikës së Shqipërisë pranë Principatës së Lihtenshteinit. Ceremonia u zhvillua në Kështjellën e Vaduzit, në prani të Lartësisë së Tij, Princit Trashëgimtar Alois.
Siç mëson HelveticALForum.ch, ceremonia shënon nisjen zyrtare të mandatit diplomatik të ambasadorit Dredha edhe në Lihtenshtein, duke forcuar më tej praninë diplomatike shqiptare në rajon. Pas paraqitjes së Letrave Kredenciale, ambasadori shqiptar zhvilloi një takim me Princin Trashëgimtar Alois, gjatë të cilit u diskutua për marrëdhëniet shumë të mira mes Shqipërisë dhe Lihtenshteinit, si dhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.
“Në një ceremoni zyrtare të zhvilluar në Kështjellën e Vaduzit, pata nderin të paraqes Letrat Kredenciale si Ambasador i Republikës së Shqipërisë pranë Lartësisë së Tij, Princit Trashëgimtar të Lihtenshteinit, Alois”, u shpreh ambasadori Ermal Dredha.

Ai bëri të ditur se gjatë bisedës me Princin Trashëgimtar u trajtuan edhe zhvillimet në Shqipëri dhe rruga e vendit drejt integrimit evropian.
“Diskutuam mbi forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Shqipërisë dhe Lihtenshteinit, si dhe shprehëm vullnetin e përbashkët për zgjerimin e bashkëpunimit në fusha me interes të ndërsjellë. Gjithashtu, ndava me të arritjet e Shqipërisë dhe sfidat që vendi ynë po përballon në rrugëtimin drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian”, deklaroi ai.
Takimi u vlerësua si një hap i rëndësishëm për intensifikimin e dialogut politik dhe diplomatik mes dy vendeve, duke riafirmuar gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin në fusha të ndryshme me interes të përbashkët.




