POSTIMET E FUNDIT

Marsh për Drejtësi në Gjenevë më 30 gusht: Diaspora shqiptare bashkohet në kujtim të viktimave të zhdukjeve me forcë

Gjenevë – Më 30 gusht 2026, me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Viktimave të Zhdukjeve me Forcë, në Gjenevë siç mëson helveticALForum.ch do të organizohet një Manifestim Gjithëpopullor – Marsh për Drejtësi, me pjesëmarrjen e bashkatdhetarëve nga Zvicra dhe vende të tjera evropiane. Aktiviteti synon të nderojë kujtimin e viktimave të zhdukjeve me forcë, të kërkojë drejtësi për familjet që vazhdojnë të jetojnë me pasigurinë për fatin e më të dashurve të tyre dhe të ndërgjegjësojë opinionin publik ndërkombëtar mbi rëndësinë e respektimit të të drejtave të njeriut. Manifestimi do të zhvillohet nën moton: “Përderisa i kujtojmë, ata jetojnë.”

Sipas programit të publikuar nga organizatorët, pjesëmarrësit do të mblidhen në orën 13:30 në Parkun e Cropettes, ku do të bëhet pritja dhe organizimi i marshimit. Në orën 14:00 do të nisë Marshi për Drejtësi, i cili do të përshkojë itinerarin: Parku i Cropettes – Rue de Montbrillant – Avenue de France – Place des Nations.

Në përfundim të marshimit, nga ora 14:45 deri në 17:00, në Place des Nations do të zhvillohet programi zyrtar me fjalime dhe aktivitete përkujtimore, ku pritet të marrin pjesë përfaqësues të komunitetit shqiptar, aktivistë të të drejtave të njeriut dhe qytetarë të shumtë. Organizatorët u bëjnë thirrje të gjithë shqiptarëve në diasporë, si dhe miqve të kauzës së të drejtave të njeriut, të marrin pjesë në këtë manifestim paqësor, duke përcjellë mesazhin se kujtesa, drejtësia dhe dinjiteti janë vlera që duhet të mbrohen dhe të promovohen vazhdimisht. Manifestimi organizohet nga Shoqata Kulturore “Dora D’Istria” në Gjenevë dhe pritet të shërbejë si një moment solidariteti dhe reflektimi, duke rikujtuar se e vërteta dhe drejtësia mbeten themeli i pajtimit dhe i respektimit të dinjitetit njerëzor.

Motoja e aktivitetit: Kujtesë • Drejtësi • Dinjitet, transmeton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB