POSTIMET E FUNDIT

“Sheshi i Kombeve në Gjenevë Kumboi me Thirrjen: ‘Shqipëria Nuk Është në Shitje'”

Nga Mirishahe Limani Hiler

Manifestim në Sheshin e Kombeve

1 korrik, Gjenevë – Sot, më 1 korrik, në mbrëmje në Place des Nations në Gjenevë, u zhvillua mobilizimi i katërt i diasporës shqiptare në mbështetje të protestave qytetare që po zhvillohen në Shqipëri. Qytetarë shqiptarë nga Gjeneva dhe nga kantone të tjera frengjishtfolëse u mblodhën për të shprehur solidaritetin e tyre me protestuesit në Shqipëri dhe për të përcjellë mesazhin se Shqipëria nuk është në shitje. Pjesëmarrësit kërkuan mbrojtjen e pasurive natyrore të vendit, transparencë në vendimmarrje, luftë kundër korrupsionit dhe respektimin e parimeve demokratike. Ata shprehën gjithashtu shqetësimin për projektet e planifikuara në ishullin e Sazanit dhe zonën e Nartës, duke theksuar se zhvillimi ekonomik nuk duhet të bëhet në dëm të interesit publik dhe trashëgimisë natyrore.

Manifestimi u zhvillua në mënyrë paqësore, dinjitoze dhe me respekt, në përputhje me rregullat e përcaktuara nga organizatorët. Pankartat, flamujt kombëtarë dhe thirrjet e pjesëmarrësve pasqyruan kërkesën për një Shqipëri më të drejtë, më transparente dhe më demokratike.

Protesta ngjalli interes edhe në mediat zvicerane. Manifestimi u përcoll nga kryeredaktori i gazetës 24 heures dhe nga gazeta Le Courrier, të cilët ishin të pranishëm në vendngjarje dhe patën mundësinë të zhvillonin intervista e të merrnin prononcime nga manifestuesit. Kjo prani mediatike kontribuon në informimin e opinionit publik zviceran mbi kërkesat e protestuesve dhe zhvillimet që po ndodhin në Shqipëri.

Në përmbyllje të manifestimit, pjesëmarrësit u informuan edhe për mobilizimin e radhës, i cili do të zhvillohet të shtunën, më 4 korrik, në orën 17:30, në Bernë.

Organizatorët shprehën besimin se ky aktivitet do të shënojë një mobilizim edhe më të madh të mërgatës shqiptare, me pjesëmarrjen e bashkatdhetarëve nga të gjitha kantonet e Zvicrës, për të vazhduar mbështetjen ndaj lëvizjes qytetare në Shqipëri dhe për të forcuar zërin e diasporës në mbrojtje të demokracisë, transparencës dhe interesit publik.

Me këtë mobilizim, diaspora shqiptare në Zvicër rikonfirmoi angazhimin e saj për të mbështetur zërin qytetar në Shqipëri dhe për të dëshmuar se çështjet që prekin të ardhmen e vendit mbeten një përgjegjësi e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, kudo që jetojnë.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB