Në prani të menaxhmentit të lartë të Universitetit “Haxhi Zeka”, Rektorit Prof. Dr. Armand Krasniqi, prorektorëve, stafit akademik, stafit administrativ dhe studentëve, sot Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, nënshkroi Memorandumin e Mirëkuptimit me Institutin Bullgar për Politikë Ndërkombëtare (Bulgarian Institute for International Politics – BIIP) nga Varna, Bullgari, të përfaqësuar nga Dr. Dimitar Keranov, anëtar i Bordit Drejtues.

Ky memorandum shënon një hap të rëndësishëm në procesin e ndërkombëtarizimit të Fakultetit Juridik dhe krijon një kornizë të re bashkëpunimi akademik, shkencor dhe institucional ndërmjet dy institucioneve. Marrëveshja parasheh organizimin e konferencave ndërkombëtare, seminareve, ligjëratave mysafire, realizimin e projekteve të përbashkëta kërkimore, publikimeve shkencore, shkëmbimin e stafit akademik dhe studentëve, si dhe aktivitete të tjera që kontribuojnë në ngritjen e cilësisë së arsimit të lartë dhe fuqizimin e bashkëpunimit ndërkombëtar.
Me këtë rast, Rektori i Universitetit “Haxhi Zeka”, Prof. Dr. Armand Krasniqi, përgëzoi Fakultetin Juridik dhe Dekanin, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, për punën e jashtëzakonshme dhe rezultatet konkrete në procesin e ndërkombëtarizimit. Ai theksoi se Fakulteti Juridik është një nga njësitë më aktive të universitetit në krijimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në rritjen e cilësisë së mësimdhënies, kërkimit shkencor dhe zhvillimit institucional.
Nga ana e tij, Dr. Dimitar Keranov, anëtar i Bordit Drejtues të Institutit Bullgar për Politikë Ndërkombëtare (BIIP), falënderoi Universitetin “Haxhi Zeka” dhe në veçanti Dekanin, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, për mikpritjen dhe iniciativën në realizimin e kësaj marrëveshjeje. Ai vlerësoi lart vizionin e Fakultetit Juridik për bashkëpunim ndërkombëtar dhe u zotua se implementimi i memorandumit do të fillojë menjëherë përmes aktiviteteve konkrete, duke përfshirë konferenca shkencore, mobilitet akademik, projekte të përbashkëta dhe iniciativa të tjera që do të sjellin përfitime për të dy institucionet.
Ndërsa, Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Asoc. Dr. Petrit Nimani, shprehu mirënjohjen e tij ndaj Institutit Bullgar për Politikë Ndërkombëtare (BIIP) për besimin, bashkëpunimin dhe gatishmërinë për të ndërtuar një partneritet afatgjatë me Fakultetin Juridik të Universitetit “Haxhi Zeka”. Ai theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi nuk përfaqëson vetëm formalizimin e një marrëveshjeje, por shënon fillimin e një bashkëpunimi dinamik dhe të qëndrueshëm, i cili do të zbatohet menjëherë përmes aktiviteteve konkrete.

Dekani Nimani bëri të ditur se në kuadër të këtij bashkëpunimi do të organizohen konferenca dhe forume shkencore ndërkombëtare, seminare, ligjërata nga profesorë dhe ekspertë ndërkombëtarë, projekte të përbashkëta kërkimore, publikime shkencore, si dhe programe të mobilitetit për stafin akademik dhe studentët. Ai theksoi se ky partneritet do të krijojë mundësi të reja për zhvillimin profesional të stafit, avancimin akademik të studentëve dhe rritjen e kapaciteteve kërkimore të Fakultetit Juridik, duke e forcuar më tej pozitën e tij në rrjetin ndërkombëtar të institucioneve të arsimit të lartë.
Nënshkrimi i këtij memorandumi përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm në strategjinë e ndërkombëtarizimit të Universitetit “Haxhi Zeka”, duke zgjeruar rrjetin e bashkëpunimit me institucione prestigjioze evropiane dhe duke krijuar mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe zhvillimin e kërkimit shkencor.
Kjo marrëveshje dëshmon përkushtimin e Universitetit “Haxhi Zeka” dhe në veçanti të Fakultetit Juridik për ndërtimin e partneriteteve strategjike ndërkombëtare, promovimin e ekselencës akademike dhe harmonizimin e veprimtarisë së tij me standardet evropiane të arsimit të lartë. Përmes bashkëpunimeve të tilla, Fakulteti Juridik vazhdon të konsolidojë pozitën e tij si një nga institucionet akademike më aktive dhe më të orientuara drejt ndërkombëtarizimit, duke ofruar mundësi të reja për studentët, stafin akademik dhe zhvillimin e kërkimit shkencor në nivel ndërkombëtar, transmeton UHZ, përcjell helveticALForum.ch.
#FakultetiJuridik#UniversitetiHaxhiZeka#MemorandumMirëkuptimi#BIIP#Ndërkombëtarizim#BashkëpunimNdërkombëtar#PartneritetStrategjik#KonferencaShkencore#MobilitetAkademik#ProjekteKërkimore#PublikimeShkencore#ShkëmbimStudentësh#EkselencëAkademike#StandardeEvropiane#ArsimiLartë




