POSTIMET E FUNDIT

Ansambli “TROJET” në tempullin e patriotizmit shqiptar në Amerikë te Federata Pan-Shqiptare Vatra

ATY KU RREH ZEMRA E PATRIOTIZMIT SHQIPTAR NË AMERIKË

Ka vende që nuk vizitohen thjesht për t’i parë, por për t’i përjetuar. Ka institucione që nuk janë vetëm ndërtesa, por faqe të gjalla të historisë së një kombi. Për çdo shqiptar që shkel në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vizita në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA është shumë më tepër se një ndalesë protokollare; është një takim me rrënjët, me sakrificën, me idealizmin dhe me patriotizmin që ka mbajtur gjallë shqiptarinë përtej oqeanit. Të shkosh në Amerikë dhe të mos e vizitosh Pan-Vatrën, të jep ndjesinë sikur të ka mbetur diçka e paplotësuar. Për ne ishte një nder i jashtëzakonshëm dhe një emocion që vështirë mund të përshkruhet me fjalë. Në atë godinë nuk ndjen vetëm historinë e një institucioni, por frymën e atyre burrave të mëdhenj që i shërbyen kombit me mençuri, vizion dhe përkushtim. VATRA, e ngritur mbi idealet e Fan S. Nolit, Faik Konicës, Kristo Floqit dhe bashkëpunëtorëve të tyre, vazhdon edhe sot të mbetet simbol i bashkimit, identitetit dhe atdhedashurisë shqiptare. Ajo mbetet vatra e promovimit të çështjes kombëtare shqiptare në Amerikë dhe një nga institucionet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare.

Një nga momentet më të veçanta dhe më emocionuese të misionit tonë kulturor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishte vizita në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës VATRA në New York.

Për ne kjo nuk ishte vetëm një vizitë institucionale. Ishte një takim me historinë e kombit tonë, me vendin ku për më shumë se një shekull është mbrojtur çështja shqiptare, është ngritur zëri për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë, janë mbështetur të drejtat e shqiptarëve kudo që jetojnë dhe është ruajtur identiteti ynë kombëtar në diasporë.

E themeluar në prill të vitit 1912 në Boston, vetëm pak muaj para shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, Federata VATRA u bë shpejt organizata më e rëndësishme e shqiptarëve në Amerikë. Përmes veprimtarisë së saj patriotike, ajo kontribuoi në ndërgjegjësimin e opinionit amerikan dhe ndërkombëtar për çështjen shqiptare, mbështeti shtetin shqiptar në momentet më vendimtare të historisë dhe, më vonë, u bë një zë i fuqishëm edhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Ishim të nderuar që u pritëm nga editori i gazetës “Dielli”, z. Sokol Paja, i cili me shumë dashamirësi na mirëpriti. Më pas patëm kënaqësinë të takoheshim edhe me vatranin Bashkim Shehu, i cili me shumë përkushtim na prezantoi historikun e Federatës VATRA dhe të gazetës “Dielli”, dy institucione që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombëtare shqiptare.

Editori i gazetës Dielli dhe kryetari i Ansamblit “Trojet”

Me shumë respekt dëgjuam rrëfimin për rrugëtimin e kësaj federate, që nga themelimi i saj nga Fan S. Noli dhe Faik Konica e deri në ditët e sotme, duke mbetur gjithmonë në shërbim të kombit shqiptar. Mësuam për veprimtarinë patriotike të VATRËS gjatë më shumë se një shekulli, për angazhimin e saj në mbrojtjen e interesave kombëtare, për lobimin në institucionet amerikane dhe ndërkombëtare, si dhe për përkushtimin në ruajtjen e gjuhës, kulturës, historisë dhe identitetit shqiptar. Një vend të veçantë në këtë histori zë gazeta “Dielli”, organi zyrtar i Federatës VATRA, gazeta më e vjetër shqiptare që vazhdon të botohet edhe sot. Përmes saj janë pasqyruar ngjarjet më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare dhe është mbajtur gjallë lidhja shpirtërore e shqiptarëve të Amerikës me atdheun.

Patëm kënaqësinë të bisedonim edhe me gazetarin, editorin dhe veprimtarin Sokol Paja, i cili prej vitesh, përmes gazetës “Dielli”, dokumenton dhe promovon jetën, aktivitetet dhe sukseset e komunitetit shqiptar në Shtetet e Bashkuara. Përkushtimi i tij është një vazhdimësi e denjë e misionit që kjo gazetë ka mbajtur gjallë ndër dekada.

Në emër të Ansamblit “TROJET”, shprehëm mirënjohjen tonë të thellë për punën e jashtëzakonshme që Federata VATRA vazhdon të bëjë në ruajtjen e kujtesës historike dhe në forcimin e ndërgjegjes kombëtare te brezat e rinj.

Ky takim na bëri të ndiejmë edhe më shumë peshën e misionit që bartim. Ashtu si dikur Noli, Konica dhe patriotët e VATRËS e mbrojtën kombin me penë, fjalë, diplomaci dhe organizim, edhe ne përpiqemi ta ruajmë identitetin shqiptar përmes këngës, valles, kostumit kombëtar dhe edukimit të brezit të ri në mërgatë. Forma e shërbimit ndryshon, por misioni mbetet i njëjtë: t’i shërbejmë kombit shqiptar.

Në shenjë respekti dhe miqësie, patëm kënaqësinë t’i dhurojmë Federatës VATRA dhe bibliotekës së saj revistën themeltare artistike të Ansamblit “TROJET”, si një dëshmi e punës sonë në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore shqiptare në Zvicër. Ishte një emocion i veçantë që kjo revistë të bëhet pjesë e arkivit dhe bibliotekës së një institucioni me kaq peshë në historinë e kombit shqiptar.

Nga ana tjetër, Federata VATRA na nderoi duke na dhuruar disa numra të gazetës historike “Dielli”, botime me vlera të çmuara dokumentare dhe kombëtare, të cilat do të kenë një vend të veçantë në arkivin e Ansamblit “TROJET”.

Largohemi nga VATRA me zemrën plot krenari, respekt dhe mirënjohje. Nuk largohemi vetëm me kujtime të bukura, por edhe me një ndjenjë më të madhe përgjegjësie për misionin që kemi marrë përsipër. Historia e VATRËS na kujton se identiteti kombëtar nuk ruhet vetvetiu; ai kërkon përkushtim, sakrificë dhe punë të pandërprerë nga çdo brez.

Për Ansamblin “TROJET”, kjo vizitë ishte shumë më tepër se një takim institucional. Ishte një frymëzim, një mësim historie dhe një dëshmi se kultura, tradita dhe gjuha janë ura që lidhin shqiptarët kudo në botë. Ashtu si patriotët e VATRËS i shërbyen kombit me penë, diplomaci dhe organizim, edhe ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë përmes artit, këngës, valles dhe edukimit të brezave të rinj.

Na vijnë natyrshëm ndër mend vargjet e njohura:

“Nano, mos ke frikë, se i ke djemtë në Amerikë.” Sot ato tingëllojnë po aq domethënëse, sepse shqiptarët e Amerikës vazhdojnë të jenë një mbështetje e fuqishme për kombin, duke ruajtur gjallë frymën e atdhedashurisë dhe duke e përcjellë atë te brezat që vijnë. Federata Pan-Shqiptare e Amerikës, e njohur si “Vatra”, është shoqata më e vjetër dhe më e rëndësishme e shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara.

Zoti e bekoftë Federatën VATRA, vatranët, miqtë amerikanë, Amerikën dhe të gjithë mërgimtarët shqiptarë.

Ndërsa ne vazhdojmë rrugëtimin tonë drejt Detroitit, me zemër e shpirt, për të marrë pjesë në festival, e marrim me vete frymëzimin e kësaj vizite dhe bindjen se shërbimi ndaj kombit nuk njeh kufij. Ai jeton në çdo zemër shqiptari që punon me përkushtim për gjuhën, kulturën, historinë dhe identitetin tonë kombëtar, kudo në botë, njofton komisioni për informim i Ansmblit Trojet, përcjell helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB