Nga Sokol Paja, New York
New York, 1 korrik 2026 – Ansambli i këngëve dhe valleve “TROJET” vizitoi Federatën Vatra. Miqtë nga Zvicra, themeluesi z. Zeqë Gashi, lahutari Shaqir Dema, anëtari i kryesisë Bubekir Morina dhe Leotrim Gashi udhëheqës artistik, u pritën nga editori i Diellit dhe vatrani Bashkim Shehu.

Editori u shpjegoi historikun e Federatës Vatra, të gazetës Dielli dhe kontributin patriotik që këto dy institucione kombëtare kanë dhënë për komunitetin dhe kombin shqiptar.

Miqtë nga Zvicra shprehën për mirënjohje për punën kombëtare të Vatrës në ruajtjen e vlerave e trashëgimisë shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe ngritjen e zërit e ndërgjegjësimin e çështjes kombëtare në institucionet amerikane. Ansambli i këngëve dhe valleve “TROJET” uroi kryetarin e Vatrës Dr. Elmi Berisha për rizgjedhjen në krye të Federatës dhe përgëzoi veprimtarinë në shërbim Kosovës.

Ansambli i këngëve dhe valleve “TROJET” u themelua më 17 prill 2013 në Winterthur të Zvicrës, fillimisht si degë e Ansamblit “Vatra” – dega Winterthur. Nisma lindi nga dëshira jonë që fëmijët e mërgatës shqiptare të mos humbnin lidhjen me kulturën e vendlindjes dhe të kishin një vend ku të mësonin vallen, këngën, gjuhën, veshjen dhe të bashkoheshin rreth vatrës ku buron bujaria shqiptare. Misioni kryesor i Ansamblit “TROJET” është ruajtja, kultivimi dhe prezantimi i vlerave të mirëfillta kulturore përmes këngëve, valleve, veshjeve, lojërave popullore dhe gjithë trashëgimisë e krijimtarisë tjetër artistike shqiptare.

U themelua nga Zeqë Gashi dhe një grup të rinj të dedikuar për mbrojtjen e vletave artistike e kombëtare. Ky ansambël viziton Amerikën në kuadër të Festivalit të 35-të të Lahutës që zhvillohet në Michigan. Editori dhuroi për miqtë nga Zvicra disa kopje ndër vite të gazetës Dielli ndërsa drejtuesit e Ansamblit “Trojet” dhuruan kopje të revistës artistike të Ansamblit. /GDielli




