Nga Dashnim HEBIBI
Më 1 korrik mbushen dy vjet nga ndarja nga jeta e kolosit të letërsisë shqiptare, Ismail Kadaresë. Ai u largua fizikisht në moshën 88-vjeçare, por la pas një trashëgimi që vazhdon të jetojë në bibliotekat, universitetet dhe zemrat e miliona lexuesve në mbarë botën. Veprat e tij janë përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe e kanë bërë letërsinë shqipe pjesë të hartës së letërsisë botërore. Për mua, Ismail Kadare nuk ishte vetëm shkrimtari më i madh shqiptar. Kam pasur privilegjin ta njoh personalisht dhe të realizoj një intervistë me të në vitin 2000. Ishte një takim që mbetet ndër kujtimet më të çmuara të jetës sime profesionale. Në atë bisedë pashë nga afër jo vetëm madhështinë e shkrimtarit, por edhe thjeshtësinë e njeriut që kishte fituar respektin e botës. Dy vjet më vonë, në vitin 2002, pata kënaqësinë t’i kushtoj një poezi, ndërsa ai ishte ende mes nesh. Poezia u botua në librin tim “Kosova – një zjarr amë”, ndërsa intervista jonë u përfshi më pas në librin “Intervista në tranzicion – pjesa e dytë (2000–2010)”, botuar në vitin 2012.

Kadare ishte një personalitet që fliste pak, por çdo fjalë e tij mbetej gjatë në kujtesë. Një nga thëniet që e karakterizon më së miri ishte:
“Njeriu në jetë ka nevojë për një filxhan shkencë, një shishe kujdes dhe një oqean durim.”
Në të vërtetë, ai vetë ishte mishërimi i kësaj urtësie.
Historia e shkrimtarit që nuk e mposhti censura

Jeta e Ismail Kadaresë është edhe historia e një shkrimtari që arriti të sfidojë censurën e një prej regjimeve më të ashpra komuniste në Evropë. Ai nuk e kundërshtoi diktaturën me slogane politike, por me letërsi. Përmes alegorisë, miteve, historisë dhe simbolikës, Kadare ndërtoi romane që lexoheshin si rrëfime historike, por në të vërtetë përçonin mesazhe universale për lirinë dhe rrezikun e totalitarizmit. Një nga veprat më të njohura, “Pallati i Ëndrrave”, u konsiderua një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj mekanizmave të kontrollit dhe frikës së shtetit totalitar. Libri u ndalua menjëherë pas botimit, por kishte arritur tashmë të fitonte vëmendjen e lexuesve dhe kritikëve. Pikërisht ky ishte talenti i Kadaresë: të thoshte shumë duke mos e thënë drejtpërdrejt.

Në vitin 1990 ai kërkoi azil politik në Francë, duke deklaruar se letërsia nuk mund të ishte plotësisht e lirë pa lirinë e vetë autorit. Megjithatë, ai nuk u shkëput kurrë nga Shqipëria, nga gjuha shqipe dhe nga çështja kombëtare. Zëri i tij ishte gjithmonë në mbështetje të Kosovës dhe të të drejtave të shqiptarëve.
Emër që i dha botës një Shqipëri tjetër
Për dekada me radhë, Ismail Kadare u përmend vazhdimisht si kandidat për Çmimin Nobel në Letërsi dhe u nderua me çmime ndërkombëtare prestigjioze, mes tyre edhe Man Booker International Prize. Për miliona lexues në botë, ai ishte porta e parë për të njohur historinë, kulturën dhe shpirtin shqiptar. Sot, dy vjet pas largimit të tij, mungesa ndihet, por jo heshtja. Librat e tij vazhdojnë të lexohen, të studiohen dhe të frymëzojnë breza të rinj.

Për mua, ai mbetet jo vetëm shkrimtari i madh, por edhe njeriu që pata fatin ta takoj, ta intervistoj dhe ta nderoj me vargje.
Ismail Kadaresë
Në çdo largësi
Ti je më i afërti.
Në çdo lartësi
Ti më je më i larti.
Pa Ty, o Kadare,
Për një maje qielli
Do të isha i varfër.
(Prishtinë, 2002 – botuar në faqen 47 të librit “Kosova – një zjarr amë”)
Dy vjet pas largimit të tij fizik, Ismail Kadare mbetet një emër që nuk i përket vetëm letërsisë shqiptare, por historisë së kulturës evropiane. Gjeniu i letrave nuk vdes; ai vazhdon të jetojë në çdo faqe të shkruar dhe në çdo lexues që hap një libër të tij. Ismail Kadarenë do ta kujtojmë përjetë me mirënjohje, sepse vepra dhe fjala e tij do të vazhdojnë të ndriçojnë brezat që vijnë. Qoftë i përjetshëm kujtimi i tij dhe shpirti i tij pushoftë në paqe.




