
Nga Arsim Mulliqaj, Milano
Milano, 29 qershor 2026 – Sheshi San Babila në Milano u bë edhe një herë vendtakim i mërgimtarëve shqiptarë, të cilët u mblodhën më 28 qershor për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj situatës politike dhe sociale në Shqipëri. Protestuesit, të ardhur nga treva të ndryshme shqiptare dhe që jetojnë e veprojnë në Itali, kërkuan dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se zëri i qytetarëve duhet të dëgjohet. Pavarësisht temperaturave të larta, që gjatë ditës arritën rreth 40 gradë Celsius, pjesëmarrja në protestë ishte e konsiderueshme. Organizatorët dhe pjesëmarrësit theksuan se kushtet atmosferike nuk mund të ndalin reagimin qytetar ndaj, sipas tyre, shkeljeve të të drejtave themelore në Shqipëri.

Gjatë tubimit u ngritën shqetësime lidhur me të drejtat pronësore, sociale dhe politike të qytetarëve. Protestuesit pohuan se pakënaqësitë e grumbulluara ndër vite kanë nxitur mobilizimin qytetar, duke iu referuar edhe protestave që po zhvillohen prej javësh në Shqipëri.
Në fjalimet e mbajtura gjatë protestës u bë thirrje që klasa politike shqiptare, si mazhoranca ashtu edhe opozita, të reflektojë mbi gjendjen në vend. Sipas protestuesve, periudha pas rënies së sistemit komunist nuk ka arritur të përmbushë pritshmëritë për një shtet funksional, me sundim të ligjit, zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale. Ata shprehën shqetësimin se korrupsioni vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore, ndërsa shumë qytetarë përballen me vështirësi ekonomike dhe mungesë të standardeve të jetesës që garantohen nga Kushtetuta dhe konventat ndërkombëtare.

Një moment i veçantë i aktivitetit ishte pjesëmarrja e qytetarit Arsim Mulliqaj, i cili falënderoi organizatoren e protestës në Milano, znj. Suela, për ftesën që t’i drejtohej të pranishmëve me një fjalë rasti. Ai sqaroi se, për shkak të mungesës së përgatitjes paraprake, zgjodhi të mos mbante fjalim, duke vlerësuar mirëkuptimin e organizatores dhe të pjesëmarrësve. Sipas tij, protesta u karakterizua nga një atmosferë qytetare dhe pjesëmarrje e gjerë, ku përveç shqiptarëve ishin të pranishëm edhe qytetarë italianë, të cilët shprehën mbështetjen e tyre për kërkesat e protestuesve. Prania e familjeve, fëmijëve dhe pjesëmarrësve të grupmoshave të ndryshme u konsiderua si dëshmi e lidhjes së fortë që diaspora shqiptare ruan me vendlindjen dhe e dëshirës për të parë zhvillime pozitive në Shqipëri. Protesta në Milano ishte një nga aktivitetet e organizuara nga komuniteti shqiptar në diasporë, me synimin për të tërhequr vëmendjen e opinionit publik dhe institucioneve mbi shqetësimet që, sipas organizatorëve, prekin jetën politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri.




