POSTIMET E FUNDIT

Kujtojmë në përvjetorin e lindjes akademikun dhe gjuhëtarin e shquar Idriz Ajeti

Akademik Idriz Ajeti, një nga figurat më të ndritura të albanologjisë, lindi më 26 qershor 1917 në fshatin Tupallë të Jabllanicës së Epërme. Pas shkollimit fillor në Banjën e Sijarinës dhe të mesëm në Shkup, ai vijoi studimet universitare në Zagreb e më pas në Beograd, ku mbrojti doktoratën me temën “Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë” (1958).

Karriera e tij akademike dhe institucionale është e lidhur ngushtë me Universitetin e Prishtinës, ku, nga viti 1960 e deri në fund të jetës, dha mësim dhe formoi breza të tërë studiuesish. Ai ishte profesor ordinar i gjuhës dhe letërsisë shqipe, dekan i Fakultetit Filozofik, rektor i Universitetit të Prishtinës, si dhe drejtor i Institutit Albanologjik të Prishtinës.

Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit Filozofik në Prishtinë (1960), u themelua revista shkencore “Gjurmime albanologjike” (1962), ndërsa në vitin 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj. Ai mori pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit të vitit 1972 në Tiranë, ku u përcaktuan rregullat drejtshkrimore të gjuhës standarde shqipe, dhe ishte një nga nënshkruesit e vendimeve të tij.

Veprimtaria e tij shkencore është e gjerë dhe e gjithanshme. Ndër veprat e tij kryesore janë: Pamje historike e ligjërimit shqip të Gjakovës në fillim të shekullit XIX (1960), Istorijski razvitak gegijskog govora Arbanasa kod Zadra (1961), Hyrje në historinë e gjuhës shqipe (1963), Ortografia e gjuhës shqipe (bashkautor, 1964), Historia e gjuhës shqipe (Morfologjia historike) (1969), Probleme të historisë së gjuhës shqipe (1971, përgatitur dhe redaktuar prej tij), Studije iz istorije albanskog jezika (1982), Studime gjuhësore në fushë të shqipes I (1982), II (1985), III dhe IV (1989), si dhe Shqiptarët dhe gjuha e tyre (1994). Në Prishtinë, Tiranë dhe qendra të tjera janë botuar vëllime me studime të zgjedhura të tij. Ai hartoi gjithashtu tekste shkollore për nxënësit e shkollave të mesme dhe për studentët e Degës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe.

Idriz Ajeti për dy mandate ka qenë kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, ndërsa ishte edhe anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. /GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB