AARBURG – Në një kohë kur rrjetet sociale janë bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme, në Aarburg të Zvicrës siç mëson helveticALforum.ch u organizua një podcast tematik kushtuar ndikimit të mediave sociale në shoqërinë moderne dhe sfidave që ato paraqesin nga aspekti etik dhe fetar. Aktiviteti u mbajt të shtunën, më 20 qershor 2026, dhe u moderua nga imami i xhamisë së Aarburgut në Zvicër, Nehat ef. Ismaili. Podcasti, me temën “Rrjetet sociale – avantazhet, disavantazhet, sfidat fetare në kohën e mediave sociale”, mblodhi personalitete të njohura të jetës fetare dhe komunitare shqiptare në Zvicër. Në panel morën pjesë Kryetari i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Zvicër (KMSHZ), Fehim ef. Abazi, këshilltari dhe përgjegjësi për komisionet dhe marrëdhëniet me jashtë, Besim Nuzi, si dhe Bashkim Aliu. Gjatë diskutimit u trajtuan në mënyrë të detajuar ndryshimet që kanë sjellë rrjetet sociale në mënyrën e komunikimit dhe të informimit të njerëzve. Panelistët vlerësuan se platformat digjitale kanë krijuar mundësi të reja për shkëmbimin e informacionit, edukimin, promovimin e vlerave pozitive dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet individëve dhe komuniteteve, pavarësisht distancave gjeografike.

Megjithatë, krahas këtyre përfitimeve, u theksuan edhe sfidat e shumta që shoqërojnë përdorimin e tyre. Folësit vunë në pah se shpërndarja e pakontrolluar e informacionit, lajmet e rreme, gjuha e urrejtjes, shpifjet dhe cenimi i privatësisë përbëjnë probleme serioze që ndikojnë negativisht në jetën shoqërore dhe morale të individit. Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua dimensionit etik dhe fetar të përdorimit të mediave sociale. Bashkëbiseduesit theksuan se besimtari duhet të jetë i vetëdijshëm për përgjegjësinë që mban në hapësirën digjitale, ashtu si edhe në jetën reale. Çdo fjalë e shkruar, koment i publikuar apo informacion i shpërndarë bart pasoja morale dhe fetare, ndaj kërkohet kujdes, maturi dhe ndershmëri në komunikim. Sipas pjesëmarrësve, përhapja e informacioneve të pasakta, shpifja ndaj të tjerëve, cenimi i dinjitetit njerëzor apo promovimi i përmbajtjeve të papërshtatshme bien ndesh me parimet themelore etike dhe fetare. U theksua se veprime të tilla jo vetëm që dëmtojnë individë dhe komunitete, por mund të përbëjnë edhe barrë morale për personin që i kryen. Një tjetër temë që zuri vend të rëndësishëm në debat ishte edukimi i brezave të rinj. Folësit nënvizuan nevojën që fëmijët dhe të rinjtë të orientohen drejt një përdorimi të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm të teknologjisë, duke ruajtur identitetin fetar, vlerat morale dhe kulturën e dialogut e të respektit ndaj të tjerëve.

Pjesëmarrësit vlerësuan se institucionet fetare, familja dhe shkolla kanë rol të rëndësishëm në ndërtimin e një kulture të shëndetshme komunikimi në botën digjitale. Ata theksuan se rrjetet sociale duhet të shfrytëzohen si mjete për përhapjen e dijes, promovimin e vlerave pozitive dhe forcimin e solidaritetit në shoqëri.

Podcasti u zhvillua në një atmosferë të hapur, konstruktive dhe bashkëbiseduese, duke nxitur reflektim mbi sfidat e kohës moderne dhe mënyrat se si besimtarët dhe shoqëria mund t’i përballojnë ato me përgjegjësi dhe urtësi. Në përfundim, pjesëmarrësit u pajtuan se epoka digjitale sjell mundësi të mëdha, por kërkon po aq vetëdije, etikë dhe përgjegjësi nga secili përdorues, transmton helveticALForum.ch.




