Lionel Messi ka shtuar një tjetër faqe të artë në historinë e futbollit botëror. Superylli argjentinas u bë golashënuesi më i mirë në historinë e Kupës së Botës, pasi realizoi dy gola në fitoren ndaj Austrisë dhe arriti në kuotën e 18 golave në këtë kompeticion prestigjioz.
Me këtë arritje, Messi ka lënë pas legjendën gjermane Miroslav Klose, i cili mbante rekordin me 16 gola që nga viti 2014. Rekordi i Kloses konsiderohej prej vitesh si një nga më të vështirët për t’u thyer, por kapiteni i Argjentinës dëshmoi edhe një herë madhështinë e tij.
Në prag të ditëlindjes së 39-të, Messi vazhdon të sfidojë kohën dhe të vendosë standarde të reja në futbollin botëror. Dy golat ndaj Austrisë i mundësuan gjithashtu të shënojë në gjashtë ndeshje radhazi në Kupën e Botës, një tjetër statistikë mbresëlënëse në karrierën e tij të jashtëzakonshme.
Por rekordet nuk mbarojnë këtu. Messi është vetëm një asist larg rekordit absolut të asistimeve në historinë e Botërorit. Aktualisht ai ndan vendin e parë me legjendën argjentinase Diego Maradona, me nga tetë asistime secili.
Me paraqitjet e tij të vazhdueshme në nivelin më të lartë, Lionel Messi po forcon edhe më shumë statusin e tij si një nga futbollistët më të mëdhenj që ka njohur ndonjëherë loja e futbollit, transmeton rtk.




