
Mësuesja Saime Isufi, kryetare e LAPSH për Bernë
Fjala ime përshëndetëse në emër të LAPSH “Naim Frashëri”, Kantoni i Bernës
Të nderuar prindër!
Mësues dhe Mësuese të dashura!
Të nderuar mysafirë!
Dhe mbi të gjitha, të dashur nxënëse e nxënës!
Të dashur ish nxënës, që po vazhdoni traditën, duke i dërguar fëmijët tuaj në shkollën shqipe!
Kam kënaqësinë dhe nderin që sot, në emër të LAPSH-së “Naim Frashëri” në Kantonin e Bernës, t’ju përshëndes në këtë ditë të veçantë, kur festojmë Festën e Abetares dhe njëkohësisht shënojmë përfundimin e një viti tjetër shkollor.

Sot është një ditë gëzimi dhe krenarie për të gjithë ne. Festa e Abetares ka një domethënie të veçantë, sepse simbolizon hapat e parë të fëmijëve tanë në rrugën e njohjes dhe dashurisë për gjuhën shqipe. Çdo shkronjë e mësuar, çdo fjalë e lexuar dhe çdo varg i shqiptuar në gjuhën amtare është një urë që i lidh fëmijët tanë me kulturën, historinë dhe identitetin tonë kombëtar.
Me këtë rast, dëshiroj të shpreh mirënjohjen time të sinqertë për mësueset dhe mësuesit tanë, të cilët me përkushtim, durim dhe dashuri punojnë çdo javë për të ruajtur dhe përcjellë gjuhën shqipe te brezat e rinj. Falë punës së tyre të palodhur, shkolla shqipe vazhdon të jetë një vatër e rëndësishme e dijes dhe e kulturës sonë.
Një falënderim i veçantë shkon edhe për prindërit, të cilët me besimin, mbështetjen dhe angazhimin e tyre e bëjnë të mundur që fëmijët të ndjekin mësimin plotësues në gjuhën shqipe. Bashkëpunimi ndërmjet prindërve dhe mësuesve është çelësi i suksesit të kësaj veprimtarie të çmuar.

Ndërsa ju, të dashur nxënës, jeni arsyeja e gjithë këtij angazhimi. Ju përgëzoj për përpjekjet, sukseset dhe dashurinë që tregoni ndaj gjuhës sonë shqipe. Vazhdoni ta flisni, ta shkruani dhe ta ruani shqipen me krenari, kudo që jetoni. Tani që po mbyllim këtë vit shkollor, ju uroj të gjithëve pushime të mbara dhe të këndshme. Uroj që shumë prej jush t’i kalojnë ato në atdhe, pranë familjarëve dhe miqve, duke krijuar kujtime të bukura dhe duke forcuar edhe më shumë lidhjen me rrënjët tona. Ju falënderoj për punën, përkushtimin dhe bashkëpunimin gjatë gjithë vitit. Ju uroj shëndet, mbarësi dhe një verë të bukur, ndërsa vitin e ri shkollor ta filloni me energji të reja, me entuziazëm dhe me dëshirën për të vazhduar misionin tonë të përbashkët në shërbim të gjuhës shqipe.
Gëzuar Festën e Abetares dhe pushime të mbara për të gjithë!
Faleminderit!




