Një delegacion i lartë i Gardës Kombëtare Ajrore të Iowa-s ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Kosovë në kuadër të ushtrimit të përbashkët “Sentinel Sica”, duke konfirmuar edhe një herë partneritetin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe shtetit amerikan të Iowa-s.
Gjatë vizitës, përfaqësuesit e Gardës Kombëtare Ajrore të Iowa-s u takuan me pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe personel ushtarak amerikan të angazhuar në ushtrimin e komunikimeve, me qëllim forcimin e koordinimit dhe shkëmbimit të përvojave profesionale. Sipas njoftimit të Gardës Kombëtare të Iowa-s, delegacioni përbëhej nga Brigadieri Gjeneral Mark Muckey, zëvendësadjutant i përgjithshëm i Gardës Kombëtare Ajrore të Iowa-s, Shefja Komanduese Kryeshefe Sara Orwig, si dhe Shefi Komandues Kryeshef Jason Lehmann i Wing-ut 132. Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni vizitoi pjesëtarët e Skuadrës së Komunikimeve të Wing-ut 132 dhe vëzhgoi nga afër ushtrimin e përbashkët të komunikimeve të Gardës Ajrore dhe Ushtrisë së Iowa-s, i cili po zhvillohet në bashkëpunim me Forcën e Sigurisë së Kosovës. Po ashtu, udhëheqësit amerikanë zhvilluan takime me drejtues ushtarakë në kuadër të Programit të Partneritetit Shtetëror ndërmjet Iowa-s dhe Kosovës, një program që prej vitesh ka luajtur rol kyç në zhvillimin e kapaciteteve profesionale të FSK-së dhe në forcimin e marrëdhënieve strategjike ndërmjet dy vendeve.
Vizita dhe aktivitetet e realizuara në kuadër të ushtrimit “Sentinel Sica” dëshmojnë përkushtimin e vazhdueshëm të të dyja palëve për avancimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes, sigurisë dhe komunikimeve ushtarake, duke kontribuar në rritjen e gatishmërisë operacionale dhe ndërveprueshmërisë mes forcave partnere, transmeton rtk.




