POSTIMET E FUNDIT

GRANIT XHAKA UDHËHEQ ZVICRËN DREJT FITORES SË MADHE, SHËNON GOL DHE ZGJIDHET LOJTARI MË I MIRË I NDESHJES

Mbrëmja e sotme ishte e veçantë për tifozët e futbollit në mbarë Zvicrën dhe në të gjitha trevat shqiptare, ku me vëmendje të madhe u përcoll përballja mes Zvicrës dhe Bosnjës e Hercegovinës. Në qendër të vëmendjes ishte kapiteni shqiptar i Zvicrës, Granit Xhaka, i cili edhe një herë dëshmoi se mbetet lideri i padiskutueshëm i helvetikëve. Zvicra regjistroi fitoren e parë në Kampionatin Botëror, duke e mposhtur bindshëm Bosnjën e Hercegovinën me rezultat 4:1 në ndeshjen e dytë të Grupit B. Skuadra zvicerane dominoi në pjesën përfundimtare të takimit dhe tashmë ka hedhur një hap të madh drejt kualifikimit në fazën e ardhshme të garës. Në stadiumin “SoFi” të Los Anxhelosit, para rreth 70 mijë shikuesve, zviceranët treguan karakter dhe cilësi, ndërsa njeriu i ndeshjes ishte pikërisht Granit Xhaka. Kapiteni me origjinë shqiptare udhëhoqi ekipin me qetësi, përvojë dhe autoritet në mesfushë, duke qenë motori i lojës së Zvicrës gjatë gjithë takimit.

Pas një pjese të parë pa gola, momenti vendimtar erdhi në minutën e 74-të kur Johan Manzambi, vetëm pak çaste pasi ishte futur në fushë, realizoi për 1:0. Boshnjakët mbetën me një lojtar më pak pas kartonit të kuq të Tarik Muharemovićit në minutën e 80-të, ndërsa më pas Zvicra shpërtheu. Ruben Vargas dyfishoi epërsinë në minutën e 84-të pas asistimit të Breel Embolos. Në kohën shtesë, Manzambi realizoi edhe golin e dytë personal për 3:0, ndërsa Mahmiq ngushtoi rezultatin për Bosnjën në 3:1. Fjalën e fundit e tha Granit Xhaka. Në minutën e 90+7, kapiteni ekzekutoi saktë një penallti dhe vulosi fitoren 4:1, duke kurorëzuar një paraqitje të jashtëzakonshme me gol dhe me çmimin e lojtarit më të mirë të ndeshjes. Dikur në formacionin e Zvicrës ishin gjashtë futbollistë shqiptarë, por sonte Granit Xhaka dëshmoi se vazhdon të jetë figura kryesore dhe lideri i kësaj kombëtareje. Me përvojën, karakterin dhe ndikimin e tij në fushë, ai mbetet zemra e ekipit zviceran dhe krenaria e miliona shqiptarëve kudo që jetojnë. Pas dy ndeshjeve, Zvicra kryeson Grupin B me katër pikë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina renditet e fundit me një pikë. Më 24 qershor, Zvicra do të përballet me Kanadanë, në një ndeshje që mund t’i sigurojë matematikisht kualifikimin në fazën e eliminimit direkt, transmeton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB