Kobe, 12 qershor 2026 – Ambasada e Republikës së Kosovës në Japoni organizoi ceremoninë zyrtare të hapjes së Konsullatës së Nderit të Republikës së Kosovës në Kobe, e cila do të mbulojë rajonin Kansai. Në këtë ngjarje morën pjesë përfaqësues të lartë të Qeverisë japoneze, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Japonisë, përfaqësues zyrtar të Prefekturës Hyogo, të Qytetit të Kobe-s, anëtarë të trupit diplomatik, përfaqësues të botës akademike, biznesit, si dhe miq të Kosovës dhe Japonisë. Ceremonia shënoi gjithashtu emërimin zyrtar të Profesor z. Tosh Minohara si Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Kobe.

Në fjalën e tij hapëse, SHT Dr. Sabri Kiçmari, Ambasador i Republikës së Kosovës në Japoni, e cilësoi themelimin e Konsullatës së Nderit si një moment të rëndësishëm në zhvillimin e partneritetit ndërmjet Kosovës dhe Japonisë. Ai theksoi se ky institucion i ri pasqyron vlerat e përbashkëta të paqes, demokracisë dhe bashkëpunimit bilateral që lidh dy vendet, duke shërbyer si një platformë për zgjerimin e bashkëpunimit diplomatik, ekonomik, kulturor, akademik dhe të kontakteve ndërmjet qytetarëve të dy shteteve tona. Duke tërhequr paralele ndërmjet rimëkëmbjes së jashtëzakonshme të Kobe-s pas Tërmetit të Madh Hanshin-Awaji dhe rindërtimit të Kosovës pas konfliktit, ambasadori Kiçmari krahasoi qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që karakterizojnë të dy shoqëritë. Ai gjithashtu vlerësoi angazhimin afatgjatë të Profesor Minohara për dialogun ndërkombëtar, interesimin e tij për Republikën e Kosovës dhe shprehu bindjen se përvoja, ekspertiza dhe lidhjet e tij do të kontribuojnë në thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe rajonit Kansai.

SHT z. Yasushi Misawa, Përfaqësues i Qeverisë së Japonisë dhe Ambasador për Rajonin Kansai, përgëzoi Republikën e Kosovës për hapjen e Konsullatës së saj të parë të Nderit në rajonin Kansai. Ai nënvizoi se Expo 2025 Osaka-Kansai krijoi një mundësi të rëndësishme për prezantimin e Kosovës para publikut japonez dhe shprehu bindjen se karriera e dalluar, rrjeti i gjerë diplomatik dhe aftësia e Profesor Minohara për të lidhur njerëzit do të kontribuojnë ndjeshëm në avancimin e marrëdhënieve ndërmjet Japonisë dhe Kosovës.

Z. Akihiro Shiomi, Drejtor i Përgjithshëm i Byrosë për Çështje Ndërkombëtare të Prefekturës Hyogo, duke folur në emër të Guvernatorit Motohiko Saito, mirëpriti themelimin e Konsullatës së Nderit. Duke iu referuar bashkëpunimit të deritanishëm ekonomik dhe akademik, si dhe përvojave të rindërtimit dhe zhvillimit në të dy shoqëritë, ai shprehu shpresën se Konsullata e re do të shërbejë si katalizator për thellimin e bashkëpunimit ekonomik, arsimor, kulturor dhe rajonal. Z. Masanori Nagamine, Drejtor Ekzekutiv për Strategji Ndërkombëtare i Qytetit të Kobe-s, duke përcjellë mesazhin e Kryetarit të Bashkisë, Kizō Hisamoto, uroi Republikën e Kosovës për hapjen e Konsullatës së Nderit dhe Profesor Minoharën për emërimin e tij. Ai shprehu optimizmin se ky Konsullata e Nderit e Kosovës do të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe Kobe-s në fushat e biznesit, arsimit, kulturës, turizmit, inovacionit dhe shkëmbimeve rinore.
Në fjalën e tij, Prof. Dr. Tosh Minohara, Konsull Nderi i Republikës së Kosovës në Kobe (Kansai), shprehu mirënjohjen e tij për besimin e dhënë nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe riafirmoi përkushtimin për të shërbyer si urë lidhëse ndërmjet Kosovës dhe rajonit Kansai. Ai theksoi se hapja e Konsullatës së Nderit përfaqëson shumë më tepër sesa një akt ceremonial, duke simbolizuar miqësinë, besimin dhe aspiratat e përbashkëta që karakterizojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Japonisë. Ai gjithashtu vuri në pah progresin e jashtëzakonshëm të Kosovës si një nga demokracitë më të reja të Evropës dhe potencialin e saj të madh për zhvillim dhe prosperitet në vitet e ardhshme. Profesori Minohara deklaroi se Konsullata e Nderit do të punojë aktivisht për promovimin e mirëkuptimit të ndërsjellë, bashkëpunimit akademik, shkëmbimeve kulturore, lidhjeve ekonomike dhe kontakteve ndërmjet qytetarëve. Duke parë drejt së ardhmes, ai shprehu bindjen se hapja e Konsullatës shënon fillimin e një kapitulli të ri në marrëdhëniet Kosovë–Japoni dhe do të shërbejë si një platformë afatgjatë për miqësi dhe bashkëpunim ndërmjet Kosovës dhe rajonit Kansai. Ceremonia përfundoi me riafirmimin e përkushtimit të të gjithë pjesëmarrësve për të forcuar më tej miqësinë dhe partneritetin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Japonisë, si dhe për të avancuar mundësi të reja bashkëpunimi ndërmjet Kosovës dhe rajonit Kansai në vitet në vijim, njofton Ambasada e Republikës së Kosovës në Japoni , transmeton helveticALForum.ch.




