POSTIMET E FUNDIT

Zvicra voton për të ardhmen: Përballje vendimtare rreth kufirit prej 10 milionë banorësh

Zvicra po përgatitet për një nga të dielat më të rëndësishme të votimeve të kësaj legjislature. Më 14 qershor, qytetarët zviceranë do të vendosin për dy çështje me ndikim të madh në të ardhmen e vendit: kufizimin e popullsisë rezidente në 10 milionë banorë deri në vitin 2050 dhe reformën e shërbimit civil, transmeton 20min.ch. Iniciativa “Jo një Zvicër me 10 milionë banorë” ka dominuar debatin politik gjatë muajve të fundit. Sondazhet e fundit tregojnë një garë të ngushtë, por me një avantazh të lehtë për kundërshtarët e saj. Sipas anketës së institutit Leewas, 52 për qind e të anketuarve deklaruan se do të votojnë kundër iniciativës, ndërsa 47 për qind në favor të saj. Një rezultat i ngjashëm u publikua edhe nga anketa e SRG-së, e realizuar nga instituti GFS Bern, ku 52 për qind e qytetarëve shprehën qëndrimin kundër, ndërsa 45 për qind mbështetën iniciativën. Megjithatë, analistët theksojnë se shumica e sondazheve janë kryer para sulmit me thikë në Winterthur, një ngjarje që mund të ketë ndikuar në perceptimin e votuesve lidhur me çështjet e migracionit dhe sigurisë. Po aq e pasigurt mbetet edhe reforma e shërbimit civil. Sondazhet tregojnë një barazim pothuajse të plotë mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të projektit. Anketa e fundit e Leewas regjistroi 48 për qind pro dhe 48 për qind kundër, duke e bërë rezultatin tërësisht të paparashikueshëm. Edhe të dhënat e GFS Bern tregojnë një situatë të ngjashme. Sipas tyre, 48 për qind e votuesve janë në favor të reformës, ndërsa 46 për qind kundër. Megjithatë, krahasuar me muajin mars, mbështetja për reformën ka rënë me katër pikë përqindjeje, ndërsa kundërshtimi është rritur me gjashtë pikë. Rezultatet e para të projeksioneve pritet të publikohen në mesditë, kur do të bëhet më e qartë se në cilin drejtim po lëviz vullneti i popullit zviceran. Votimi i së dielës konsiderohet një test i rëndësishëm për politikat e migracionit, zhvillimit demografik dhe organizimit të shërbimit civil në Zvicër, transmeton 20min.ch, përcjell helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB