POSTIMET E FUNDIT

Milaim Rama: “Forca Zvicra!” – Legjenda shqiptaro-zvicerane uron Kombëtaren për sukses në Botëror

Nga Dashnim HEBIBI

Cyrih, 13 qershor 2026 – Një nga figurat më të njohura të futbollit shqiptaro-zviceran, legjenda e futbollit dhe ish-sulmuesi i Kombëtares së Zvicrës, Milaim Rama, ka përcjellë një mesazh të ngrohtë urimi dhe mbështetjeje për Kombëtaren zvicerane me rastin e Kampionatit Botëror të Futbollit. Milaim Rama mbetet një emër i veçantë në historinë e futbollit zviceran dhe shqiptar. Ai ishte lojtari i parë i Kombëtares së Zvicrës me prejardhje shqiptare, duke hapur rrugën për shumë futbollistë të tjerë shqiptarë që më pas do të vishnin fanellën e ekipit helvetik. Me talentin, profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, Rama la gjurmë të pashlyeshme në futbollin zviceran, duke qenë për vite me radhë një nga golashënuesit më të spikatur të ligës së parë zvicerane. Sot, si trajner, personalitet i respektuar, atdhetar dhe bamirës i njohur në komunitetin shqiptar në Zvicër, ai vazhdon të gëzojë vlerësim të madh nga sportdashësit dhe bashkatdhetarët.

Siç mëson portali HelveticALForum.ch, Milaim Rama ka uruar Kombëtaren e Zvicrës për paraqitje sa më të suksesshme në arenën botërore, duke shprehur besimin e tij te forca dhe karakteri luftarak i ekipit.

Në mesazhin e tij ai thekson:

Kombëtares zvicerane të futbollit i uroj fat dhe suksese në Botërorin e tyre. Me shpirt luftarak, pasion dhe punë ekipore, uroj që ekipi të festojë sukseset dhe t’i bëjë krenar tifozët zviceranë! Hopp Schwiiz! ❤️🤍🇨🇭 Forca Zvicra! 🇨🇭⚽ Forza Svizzera!

Fjalët e Milaim Ramës kanë një peshë të veçantë, pasi ai përfaqëson një brez pionierësh që ndërtuan urat sportive mes shqiptarëve dhe Zvicrës. Pas tij, dhjetëra futbollistë me rrënjë shqiptare kanë shkëlqyer në futbollin zviceran dhe kanë kontribuar në sukseset e Kombëtares helvetike në arenën ndërkombëtare. Për shqiptarët që jetojnë në Zvicër, ky vend është bërë një atdhe i dytë, ku breza të tërë kanë ndërtuar jetën, karrierën dhe të ardhmen e tyre. Pikërisht për këtë arsye, sukseset e Kombëtares zvicerane ndiqen me emocion edhe nga komuniteti shqiptar, i cili ka dhënë dhe vazhdon të japë kontribut të rëndësishëm në sportin, kulturën dhe jetën shoqërore të vendit. Milaim Rama mbetet një simbol i kësaj historie suksesi dhe integrimi. Me mesazhin e tij ai dëshmon edhe një herë lidhjen e fortë me futbollin zviceran dhe dëshirën që Zvicra të arrijë rezultate sa më të mëdha në skenën botërore.

Hopp Schwiiz! Forca Zvicra!

helveticALForum.ch

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB