Përgatiti Dashnim Hebibi
Ambasadori i Republikës së Kosovës në Mbretërinë e Bashkuar, Shkëlqesia e Tij Ilir Kapiti, mori pjesë në ceremoninë tradicionale “Trooping the Colour”, e organizuar me rastin e Ditëlindjes Zyrtare të Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III. Sipas njoftimit të publikuar nga helveticALForum.ch, ambasadori Kapiti e cilësoi këtë ngjarje si një nga manifestimet më të rëndësishme të traditës shtetërore britanike, e cila pasqyron përkushtimin ndaj shërbimit publik, krenarinë kombëtare dhe unitetin e Mbretërisë së Bashkuar.

“I nderuar që mora pjesë sot në ceremoninë tradicionale ‘Trooping the Colour’, me rastin e festimit të Ditëlindjes Zyrtare të Madhërisë së Tij, Mbretit Charles III. Kjo ngjarje madhështore pasqyron më së miri traditën, përkushtimin në shërbim dhe krenarinë kombëtare, duke bashkuar përfaqësues nga e gjithë Mbretëria e Bashkuar dhe nga mbarë bota”, u shpreh ambasadori Kapiti.

Në emër të Republikës së Kosovës, ai përcolli urimet më të përzemërta për Madhërinë e Tij Mbretin Charles III dhe Familjen Mbretërore, duke u dëshiruar shëndet, mirëqenie dhe suksese të mëtejshme në shërbim të vendit dhe qytetarëve të tij.

Pjesëmarrja e ambasadorit Kapiti në këtë ceremoni prestigjioze vlerësohet si një dëshmi e marrëdhënieve të mira dhe bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, një partner i rëndësishëm i Kosovës në arenën ndërkombëtare, transmeton helveticALForum.ch. (Foto nga I.K)




