Bimët medicinale dhe produktet tradicionale shqiptare po tërheqin gjithnjë e më shumë interesin e turistëve në Gjirokastër, veçanërisht të vizitorëve të huaj që kërkojnë produkte natyrale dhe autentike nga zona.
Çajrat e malit, lavandra, erëzat dhe bimët endemike janë ndër produktet më të kërkuara në Pazarin karakteristik të qytetit, duke u kthyer në një element të rëndësishëm të ofertës turistike dhe kulturore.
Në zemër të Pazarit, tregtari Meti Qibini thotë se kërkesa për bimët medicinale është në rritje të vazhdueshme, sidomos për çajin e malit dhe produkte të tjera tradicionale.
“Bimët medicinale janë shumë të kërkuara, sidomos çaji i malit që është tradicional për vendin tonë. Edhe lavandra ka kërkesë të lartë nga turistët,” shprehet ai.
Megjithatë, sipas tregtarëve dhe grumbulluesve, problem kryesor mbetet sigurimi i lëndës së parë, pasi numri i mbledhësve në zonat rurale është ulur ndjeshëm vitet e fundit, duke vështirësuar furnizimin e tregut.
Ata theksojnë se mbledhja e bimëve në terren është bërë më e vështirë dhe kërkon më shumë kohë e punë, ndërsa mungesa e fuqisë punëtore po ndikon drejtpërdrejt në zinxhirin e furnizimit.
Përfaqësues të sektorit kërkojnë mbështetje institucionale dhe subvencione për nxitjen e kultivimit dhe grumbullimit të bimëve medicinale, me qëllim garantimin e një tregu më të qëndrueshëm.
Pavarësisht sfidave, produktet tradicionale dhe bimët medicinale po konsolidohen gjithnjë e më shumë si pjesë e ofertës turistike të Gjirokastrës, duke u kthyer në një atraksion të veçantë për vizitorët e huaj, transmeton euronewsal.




