Nga Denajda Dhrimaj
Ishte një kënaqësi dhe nder i veçantë për Grupin e Valleve “Fluturimi i Shqipes” të merrte pjesë në aktivitetin kulturor Festë n’Shesh, i organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kanada dhe Konsullata e Republikës së Kosovës në Toronto.
Ky aktivitet mblodhi së bashku shqiptarë nga të gjitha trevat, duke krijuar një atmosferë të ngrohtë festive, të mbushur me krenari kombëtare, kulturë dhe tradita shqiptare. Në këtë ngjarje morën pjesë grupe të ndryshme vallesh, këngëtarë dhe artistë nga komuniteti shqiptar, të cilët sollën para publikut pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore.
Fëmijët dhe të rinjtë e Grupit “Fluturimi i Shqipes” performuan me përkushtim dhe pasion, duke prezantuar valle tradicionale shqiptare që u pritën me duartrokitje dhe entuziazëm nga të pranishmit. Për muaj me radhë ata u angazhuan në prova dhe përgatitje intensive, duke dëshmuar dashurinë e tyre për kulturën dhe identitetin shqiptar.
Pjesëmarrja në Festë n’Shesh ishte një mundësi e shkëlqyer për të promovuar vlerat tona kombëtare, për të forcuar lidhjet brenda komunitetit shqiptar në Kanada dhe për t’u dhënë brezave të rinj mundësinë të krenohen me rrënjët e tyre.
Falënderojmë organizatorët për ftesën dhe mikpritjen, si dhe të gjithë prindërit, vullnetarët dhe mbështetësit që kontribuojnë vazhdimisht në suksesin e grupit tonë. Një falënderim i veçantë shkon për fëmijët dhe të rinjtë tanë, të cilët me energjinë, disiplinën dhe talentin e tyre vazhdojnë të jenë ambasadorë të denjë të kulturës shqiptare.
“Fluturimi i Shqipes” mbetet i përkushtuar në ruajtjen dhe promovimin e traditave shqiptare, duke frymëzuar brezat e rinj të mbajnë gjallë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë kombëtar. /GD




