Nga Drita Gjongecaj
Pikniku tradicional përmbyllës i Shkollës Shqipe ‘Children of the Eagle’ u organizua për të gjashtin vit radhazi në Ridge Road Park në Hartsdale, NY. Gjatë viteve të mëparshme, ky aktivitet është organizuar edhe në parqe të tjera të Westchester County, duke u shndërruar në një traditë të dashur për familjet e komunitetit tonë.
Pikniku i 6të vjetor u zhvillua vetëm një ditë pas ceremonisë festive “Në Gjuhën e Rrënjëve Tona”, ceremoni që u mbajt në ambientet e shkollës publike PS 108.
Tingujt e muzikës shqiptare shoqëruan gjatë gjithë ditës aktivitetin, duke i dhënë piknikut ngjyrat dhe shpirtin e festave tona tradicionale. Këngët dhe vallet shqiptare bashkuan fëmijë e të rritur në një atmosferë të ngrohtë, ku krenaria për trashëgiminë tonë kulturore ndihej në çdo cep të festës. Ishte një ditë ku gjuha shqipe dëgjohej natyrshëm, ku fëmijët luanin së bashku dhe ku familjet ndanin jo vetëm ushqimin, por edhe përvojat, kujtimet dhe shpresat për të ardhmen e komunitetit tonë.
Programi i ditës ofroi aktivitete për të gjitha grupmoshat. Një nga momentet më argëtuese ishte ndeshja miqësore e volejbollit mes mësueseve dhe prindërve nga njëra anë, dhe nxënësve më të rritur nga ana tjetër. Loja u zhvillua në një atmosferë plot energji, humor dhe frymë bashkëpunimi, duke krijuar momente të bukura që afruan edhe më shumë brezat brenda komunitetit tonë.
Ndërkohë, fëmijët më të vegjël shijuan lojërat e ndryshme në këndin e lojërave të parkut, ku të qeshurat dhe entuziazmi i tyre i dhanë gjallëri aktivitetit. Krahas lojërave, ata patën mundësi të angazhoheshin edhe në veprimtari krijuese artistike, duke krijuar piktura me bojëra dhe buqeta me lule. Përmes këtyre punimeve, fëmijët shprehën imagjinatën, kreativitetin dhe preferencat e tyre për ngjyrat, duke sjellë krijime të veçanta që pasqyronin botën e tyre të pasur dhe plot fantazi.
Një falënderim i veçantë shkon për dy biznese shqiptare që treguan edhe një herë mbështetjen e tyre të vazhdueshme ndaj misionit të “Children of the Eagle”. Restoranti Besa Grill, përmes bujarisë së pronarit Tony (Tush) Musaj, si dhe Sofra Tropojane, me pronare Majlinda Tafaj, dhuruan ushqim për pjesëmarrësit e piknikut, duke kontribuar në mënyrë domethënëse në suksesin e aktivitetit. Mbështetja e tyre nuk është thjesht një kontribut material; ajo pasqyron besimin dhe vlerësimin që ata kanë për punën e shkollës dhe për përkushtimin e stafit të “Children of the Eagle” në edukimin e brezit të ri. Ata kanë qenë vazhdimisht miq të shkollës sonë dhe një shembull i bukur i mënyrës se si bizneset shqiptare mund të kontribuojnë në forcimin e komunitetit.
Mirënjohje të veçantë meritojnë edhe mësueset tona, të cilat jo vetëm që kanë punuar me përkushtim gjatë gjithë vitit shkollor, por sollën edhe ushqime e ëmbëlsira për t’i ndarë me të gjithë pjesëmarrësit. Ky gjest i thjeshtë, por tepër domethënës, pasqyron frymën familjare që karakterizon shkollën tonë dhe marrëdhëniet e ngrohta që janë krijuar mes stafit, nxënësve dhe familjeve.
Pyetja që dëgjuam më shpesh nga prindërit, por sidomos nga fëmijët gjatë këtyre dy ditëve, ishte: “Kur do të fillojë viti i ri shkollor?”
Kjo pyetje ishte ndoshta treguesi më i bukur i suksesit të programit tonë. Ajo dëshmoi se fëmijët tanë nuk e shohin shkollën shqipe thjesht si një vend mësimi, por si një hapësirë ku ndërtojnë miqësi, forcojnë identitetin e tyre dhe ndihen krenarë për gjuhën dhe kulturën që trashëgojnë nga prindërit e tyre.
Falënderojmë nga zemra secilin që ishte pjesë e këtyre dy ditëve të veçanta, piknikut përmbyllës dhe ceremonisë “Në Gjuhën e Rrënjëve Tona”.
Le të punojmë akoma më ngushtë së bashku për të përcjellë te fëmijët tanë vlerat, gjuhën dhe kulturën shqiptare që do t’i shoqërojnë gjatë gjithë jetës./GD




