Shqipëria po konfirmohet si një nga destinacionet më tërheqëse turistike të verës 2026, jo vetëm për peizazhet dhe bregdetin e saj, por edhe për kostot gjithnjë e më konkurruese të udhëtimit, shkruan Anna Duplantis në një artikull të botuar në median franceze “Ulysse”.
Sipas barometrit të publikuar nga platforma turistike “Digitrips” dhe media franceze e udhëtimit “L’Écho Touristique”, çmimet e biletave ajrore drejt Shqipërisë, kanë pësuar një rënie të ndjeshme prej 31%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke e renditur vendin mes destinacioneve me uljen më të madhe të tarifave në tregun francez.
Raporti thekson se Shqipëria po fiton terren në listën e destinacioneve më të kërkuara nga turistët evropianë, falë zgjerimit të linjave ajrore me kosto të ulët dhe rritjes së lidhjeve direkte me vendet e Evropës Perëndimore.
Sipas analizës, kjo rënie e çmimeve u ofron turistëve mundësinë, të zgjedhin një destinacion mesdhetar me kosto të përballueshme, në një kohë kur shumë vende të tjera të rajonit, po bëhen gjithnjë e më të shtrenjta.
Ekspertët e turizmit vlerësojnë se Shqipëria vazhdon të ofrojë një nga raportet më të mira mes çmimit dhe cilësisë në Mesdhe, duke kombinuar plazhe me ujëra të kristalta, natyrë të paprekur dhe çmime më të ulëta, krahasuar me destinacionet tradicionale turistike.
Barometri nënvizon se ulja e tarifave nuk lidhet vetëm me konkurrencën mes kompanive ajrore, por edhe me përpjekjet për të nxitur kërkesën, në një periudhë kur rezervimet po ecin më ngadalë se vitet e mëparshme.
Për turistët që planifikojnë pushimet e verës, raporti sugjeron se kjo periudhë përbën një mundësi të favorshme, për të rezervuar udhëtimet drejt Shqipërisë, përpara se rritja e kërkesës të ndikojë sërish në çmimet e biletave, transmeton rtsh.




