Udhëheqësit e Bashkimit Evropian (BE) dhe ata të Ballkanit Perëndimor janë mbledhur të premten në Mal të Zi për samitin e nivelit të lartë, në fokus të të cilit pritet të jetë zgjerimi i bllokut evropian. Samiti po mbahet në Tivat, një qytet bregdetar në Mal të Zi, ku po marrin pjesë udhëheqës të rëndësishëm evropianë dhe zyrtarë nga vendet kandidate.
BE-ja pritet të shqyrtojë strategji të reja gjatë këtij samiti për ta përshpejtuar procesin e anëtarësimit për gjashtë vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, sipas presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili e zhvilloi një turne në këto vende këtë javë për t’i paraprirë samitit.
Gjithashtu, blloku evropian kohët e fundit është përqendruar në nxitjen e reformave në këto shtete kandidate, pas shqetësimeve në rritje lidhur me ndikimin e Rusisë dhe Kinës në rajon. Shqipëria, Bosnja, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Mali i Zi po e kërkojnë anëtarësimin në BE prej shumë vitesh, por ende nuk arritur t’i përmbushin kushtet e nevojshme, sipas bllokut.
Çdo shtet ndodhet në fazë të ndryshme të procesit të anëtarësimit, por Mali i Zi dhe Shqipëria janë më përpara në këtë rrugëtim.
Për të ecur përpara në rrugën e tyre, vendet kandidate duhet ta harmonizojnë legjislacionin e tyre me standardet e BE-së në 35 fusha politike, të njohura zakonisht si “kapituj”. Për hapjen ose mbylljen e çdo kapitulli kërkohet pëlqimi i të gjitha 27 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.
Për çfarë do të diskutohet?
Këshilli i BE-së ka thënë se udhëheqësit do të diskutojnë për zgjerimin dhe se kjo do të jetë një mundësi që Bashkimi Evropian të përsërisë angazhimin e tij të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. Pritet që liderët të vlerësojnë përparimin e arritur në integrimin gradual të Ballkanit Perëndimor në BE dhe të shqyrtojnë mënyrat për ta përshpejtuar më tej këtë proces, veçanërisht përmes Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Ata do të diskutojnë gjithashtu mënyrat për t’u përballur me sfidat e përbashkëta dhe për të forcuar sigurinë dhe qëndrueshmërinë e rajonit në një kontekst gjeopolitik gjithnjë e më kompleks.
Presidenti Costa tha të enjten në Beograd se liderët evropianë do të diskutojnë me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor mënyrat për të përmirësuar metodologjitë e procesit të anëtarësimit, me qëllim arritjen e përparimit më të shpejtë dhe më efektiv.
Për më tepër, BE-ja ka theksuar nevojën që Serbia dhe Kosova t’i normalizojnë marrëdhëniet e tyre në mënyrë që aplikimet e tyre për anëtarësim të mund të ecin përpara. Kosova shpalli pavarësinë e saj në vitin 2008, por Serbia vazhdon të mos e njohë atë. /BS




