Bülach, Zvicër – Më 31 maj 2026, duke filluar nga ora 12:00, në adresën Grampenweg 5, 8180 Bülach, do të mbahet turneu i mundjes së duarve “Gjergji i Pamposhtur”, një manifestim sportiv dhe kulturor kushtuar 621-vjetorit të lindjes së Heroit Kombëtar shqiptar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu. Aktiviteti organizohet nga shoqata “Gjergj Kastrioti”, me synimin për të promovuar sportin, frymën e garës së ndershme, bashkimin komunitar dhe ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar në diasporë. Turneu do të zhvillohet në kategoritë për femra dhe meshkuj, duke mbledhur garues nga vende të ndryshme të Evropës. Përveç garave sportive, organizatorët kanë paraparë edhe aktivitete artistike, programe argëtuese dhe kënde të veçanta për fëmijë, duke e shndërruar këtë ngjarje në një festë për të gjithë familjen. Organizatorët ftojnë sportdashësit, familjet dhe të gjithë bashkatdhetarët në Zvicër dhe më gjerë që të marrin pjesë në këtë manifestim të veçantë, i cili ndërthur sportin me vlerat kombëtare dhe kulturore shqiptare.

Mos harroni, nesër më 31 maj, nga ora 12:00 në Bülach mbahet turneu ndërkombëtar i mundjes së duarve “Gjergji i Pamposhtur”, transmeton helveticALForum.ch.




