Nga Prof. Dr. Muhamet Racaj
Deklarata e zëvendësndihmës-sekretarit të përgjithshëm të NATO, Kevin Hamilton, nuk duhet parë vetëm si një deklaratë diplomatike rutinore, por si një paralajmërim serioz strategjik për institucionet e sigurisë në Kosovo dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky mesazh vjen në një kohë kur arkitektura globale e sigurisë po përballet me transformime të mëdha gjeopolitike dhe kur format moderne të konfliktit po zhvendosen nga fushëbetejat klasike në hapësirën informative, kibernetike dhe psikologjike.
Sot, luftërat nuk zhvillohen vetëm me tanke, raketa dhe armatime konvencionale. Shekulli XXI ka sjellë një dimension të ri të konfliktit – luftën hibride. Në këtë formë të përballjes strategjike përdoren dezinformimi, propaganda, manipulimi mediatik, sulmet kibernetike, instrumentalizimi i tensioneve politike dhe etnike, si dhe ndikimi përmes rrjeteve sociale dhe aktorëve të ndryshëm politikë apo ekonomikë. Qëllimi nuk është domosdoshmërisht pushtimi territorial, por dobësimi i stabilitetit institucional, krijimi i pasigurisë dhe cenimi i besimit të qytetarëve ndaj shtetit dhe aleatëve ndërkombëtarë.
Në këtë kontekst, paralajmërimi i NATO-s lidhet drejtpërdrejt me rritjen e aktiviteteve hibride të Rusis në rajon. Ballkani Perëndimor historikisht ka qenë hapësirë e interesave gjeopolitike dhe rivaliteteve ndërkombëtare, ndërsa sot vazhdon të mbetet zonë ku aktorë të jashtëm tentojnë të zgjerojnë ndikimin e tyre politik dhe strategjik. Përmes dezinformatave, narrativave propagandistike dhe mbështetjes së elementeve destabilizuese, synohet krijimi i tensioneve dhe pengimi i proceseve euroatlantike në rajon.
Kosova mbetet veçanërisht e ekspozuar ndaj këtyre sfidave për shkak të pozitës së saj gjeostrategjike dhe orientimit të qartë pro-perëndimor. Partneriteti i ngushtë me SHBA-të,dhe NATO-n e bën Kosovën objektiv të vazhdueshëm të propagandës dhe fushatave destabilizuese që synojnë dobësimin e stabilitetit të brendshëm dhe krijimin e krizave politike e sociale. Kjo është veçanërisht e dukshme në momentet e tensioneve në veri të vendit, ku shpesh shfaqen operacione të koordinuara informative dhe propagandistike me qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë.
Prandaj, deklarata e NATO-s duhet të kuptohet si thirrje për vigjilencë të shtuar institucionale dhe shoqërore. Institucionet e sigurisë në Kosovë duhet të forcojnë kapacitetet e inteligjencës, sigurisë kibernetike dhe komunikimit strategjik, ndërsa bashkëpunimi me aleatët ndërkombëtarë duhet të intensifikohet edhe më shumë. Po aq e rëndësishme është edhe edukimi i qytetarëve për të identifikuar dezinformimin dhe propagandën, sepse lufta hibride synon pikërisht manipulimin e perceptimit publik dhe krijimin e përçarjeve të brendshme.
Në rrethanat aktuale ndërkombëtare, ruajtja e stabilitetit në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor mbetet interes strategjik jo vetëm për NATO-n, por për gjithë botën demokratike. Çdo destabilizim në rajon mund të përdoret nga aktorë të jashtëm për zgjerim të ndikimit të tyre politik dhe gjeopolitik. Pikërisht për këtë arsye, paralajmërimi i NATO-s duhet të merret me seriozitet maksimal dhe të shërbejë si moment reflektimi për forcimin e sigurisë kombëtare dhe qëndrueshmërisë shtetërore të Kosovës./GD




