POSTIMET E FUNDIT

SHBA-ja forcon mbështetjen për Kosovën, avancohen kapacitetet e FSK-së

Prishtinë – Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të dëshmojnë mbështetjen e fuqishme ndaj Kosovës në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Nisma e fundit e Departamentit Amerikan të Shtetit për eksportimin e artikujve të mbrojtjes, të dhënave teknike dhe shërbimeve të mbrojtjes për Kosovën në vlerë prej 14 milionë dollarësh, po konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).

Paketa e ndihmës përfshin dronë dhe sisteme moderne të mbrojtjes, si dhe mbështetje për transformimin e FSK-së në një ushtri profesionale, të gatshme për standardet e NATO-s.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, vlerëson se kjo ndihmë dëshmon partneritetin e ngushtë ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

“Këtë e kanë dëshmuar edhe kongresistët e ndryshëm, këtë e kanë dëshmuar me ndihmën e tyre, ndihma e fundit dhjetëra milionëshe për FSK-në. Mendoj që jemi në rrugën e duhur pothuajse perfekte në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes, sepse kjo tregon që Republika e Kosovës është shtet i pavarur dhe sovran”, ka deklaruar Dashevci për RTK-në.

Ai shtoi se Kosova po vazhdon të zhvillojë projektet e saj strategjike dhe se pjesëmarrja e FSK-së në misione paqeruajtëse ndërkombëtare, përfshirë atë në Gaza, është dëshmi e rolit në rritje të vendit në arenën ndërkombëtare.

Në anën tjetër, mbështetja amerikane ndaj Kosovës është reflektuar edhe në arenën politike. Kongresisti republikan Keith Self ka propozuar që SHBA-ja të ushtrojë presion ndaj Greqisë për ta rishqyrtuar qëndrimin ndaj Kosovës dhe për të mos penguar anëtarësimin e saj në NATO.

Edhe pse propozimi nuk u miratua, njohësit e çështjeve të sigurisë e konsiderojnë atë si sinjal të fortë të mbështetjes amerikane për integrimin euroatlantik të Kosovës.

Analisti Gurakuq Kuçi nga instituti “Octopus” theksoi se Kosova tashmë ka dëshmuar gatishmërinë për t’u bërë pjesë e NATO-s.

“Kosova në aspektin e sigurisë po merr pjesë në misione ndërkombëtare dhe ka treguar koherencë në përballje me kërcënimet terroriste dhe paramilitare nga Serbia. Po ashtu, edhe në luftën kundër spiunazhit kemi parë reagim të fuqishëm të institucioneve tona”, u shpreh Kuçi.

Ditë më parë, disa pjesëtarë të FSK-së u nisën së bashku me trupat amerikane drejt Gazës në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese, e cila synon të mbështesë zbatimin e planit për përfundimin e konfliktit në Gaza.

Mbështetja e vazhdueshme amerikane ndaj Kosovës po shihet si garanci e rëndësishme për forcimin e sigurisë, modernizimin e ushtrisë dhe avancimin e vendit drejt integrimit në strukturat euroatlantike, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB