Paris Saint-Germain vazhdon të shkruajë historinë në futbollin francez. Me fitoren vendimtare ndaj Lens, skuadra e drejtuar nga Luis Enrique siguroi titullin e 14-të kampion në Ligue 1, duke konfirmuar edhe një herë dominimin absolut në Francë. Ky është titulli i pestë radhazi për parisienët, një rekord i ri në historinë e klubit. PSG-ja e sezonit 2025-2026 nuk impresionoi vetëm me trofeun, por mbi të gjitha me statistikat e jashtëzakonshme që tregojnë forcën dhe ekuilibrin e skuadrës. Luis Enrique ka ndërtuar një ekip më pak të varur nga yjet individualë dhe shumë më të fokusuar te loja kolektive. Plot 18 lojtarë të ndryshëm realizuan gol në Ligue 1 gjatë këtij sezoni, një tregues i qartë i repartit ofensiv të shpërndarë dhe të paparashikueshëm. Pothuajse tre të katërtat e lojtarëve të aktivizuar në fushë arritën të gjenin rrugën e rrjetës të paktën një herë. Një tjetër element që bie në sy është mosha shumë e re e skuadrës. Formacioni titullar i PSG-së kishte një mesatare prej vetëm 23 vitesh e 362 ditësh, shifra më e ulët në historinë e klubit në kampionat. Projekti i ri i parisienëve është ndërtuar mbi talentin dhe të ardhmen, ndërsa gjatë sezonit debutuan edhe gjashtë talente të rinj nga akademia.
Megjithatë, arma më e fortë e PSG-së rezultoi mbrojtja. Skuadra mbylli 18 ndeshje pa pësuar gol në 33 javë kampionat, rekordi më i mirë ndër pesë ligat kryesore europiane. Parisienët mbajtën portën të paprekur në 55% të sfidave të Ligue 1, duke lejuar mesatarisht vetëm nëntë goditje për ndeshje./kjonë




