POSTIMET E FUNDIT

Kremtohet Dita e Lirisë së Shqiptarëve në New York : 36 vjet të trashëgimisë së Nik Marash Mrnaçajt

Nga Beqir SINA – New York

Slideshow(Photos) – https://youtu.be/tAUnjnfkkGY?si=MLcxY31_mH6_A3Y9

Të dielën, më 3 maj 2026, komuniteti shqiptar në New York u mblodh në sheshin ikonik të Parkut “Kensico Dam Plaza”në Westchester, për të kremtuar Ditën e Lirisë së Shqiptarëve.

Aktivitetit që nderon me respekt të veçantë 36-vjetorin e trashëgimisë së Nik Marash Mrnaçajt, një nga demonstruesit të guximshëm antikomunistë, të asaj periudhe i cili humbi jetën në një aksident automobilistik pas viteve të persekutimit.

Ai ishte vetëm 31 vjeç, dhe ndërsa kthehej pas protestës që shqiptarët mbajtën kundër rregjimit stalinist të Tiranës, në Detroit më 21 janar 1990 , tragjikisht humb jetën në Pensillvenia.

Ky aktivitet i organizuar nga Shoqata Kulturore dhe Artistike “Kelmendi”, familja Mrnaçaj dhe Zyra e Ekzekutivit të Qarkut Westchester, e shndërroi sheshin piktoresk të këtij parku në një monument të gjallë të kujtimit kombëtar dhe krenarisë shqiptare në SHBA.

Në ceremonin përkujtimore morën pjesë anëtar të familjeve patriotësh nga breza të ndryshëm, ish-të persekutuar nga diktatura komuniste, në Shqipëri, klerikë nga Kisha Katolike Zoja e Shkodrës, lider të komunitetit dhe miq të familjes Mrnaçaj.

Ceremonia filloi me intonimin solemn të himneve kombëtare amerikan dhe shqiptar, kënduar nga Mikela Nonaj mbesa e vogël e Nik Mernaçaj.

Ndërsa, me një minutë heshtje, të pranishmit kanë shprehur një respekt të veçantë për të gjithë të rënët për liri e demokraci, dhe me këtë rast edhe një respekt te vecant për deshtmorin e demokracise Nick Mernaçaj.

Djakon Marash Shkrelin ka bekuar këtë ditë përkujtimore.

Dita Përkujtimore e Nik Marash Merrnacaj u moderua nga dy bashkëvendasit e tij Sokol Smajlaj dhe Valbona Preldakaj.

Më pas folësit Nazo Veliu, Agim Rexhaj, Ndrek Tonaj, Marash Shkreli, Sokol Smajlaj dhe Valbona Preldakaj, e tjer, rrëfyen histori guximi dhe rezistence ndaj sundimit komunist që zgjati mbi 45 vjet. Duke kujtuar veçanërisht me këtë rast sakrificat e familjeve shqiptare që luftuan për liri gjatë dekadave të errëta të regjimit komunist.

Performancat artistike këngë, valle tradicionale dhe poezi të recituara krijuan një lidhje emocionale të fuqishme midis së shkuarës dhe së tashmes.

Momenti më prekës erdhi kur avokati Majkëll Mrnaçaj, biri i Nik Marash Mrnaçajt, iu drejtua të pranishmëve.

Me zë të emocionuari ai falënderoi pjesëmarrësit për nderimin ndaj babait dhe gjyshit të tij, duke theksuar se lufta e tyre vazhdon të frymëzojë brezat e rinj edhe 36 vjet më vonë : “Liria nuk trashëgohet vetëm ajo mbahet mend , përkujtohet dhe mbrohet çdo ditë”, tha ai.

Kulmi i eventit ishte ngritja solemne e flamurit kombëtar shqiptar krahas atij amerikan.

Flamuri kuq e zi që valëvitej në qiellin e kthjellët krah atij të SHBA simbolizoi unitetin, dinjitetin dhe identitetin tonë kombëtar. Të pranishmit e pritën këtë akt me duartrokitje të ngrohta dhe momente reflektimi.

I gjithë aktiviteti u filmua për t’u transmetuar nga Televizioni Kultura Shqiptare, ku pamjet dhe intervistat do të shfaqen së shpejti në platformën TV Alb, duke e bërë kremtimin të aksesueshëm për shqiptarët kudo në botë.

Bashkekombasit (atdhetaret, patriotet, demokrate ish të përndjekurit politik) e kujtojne kete dite duke quajtur ate “Deshmori i pare i Mergates shqiptare, ne lufte kundra komunizimit”. Ndersa, shteti demokratik, Shqipëria e oas 90′ qe doli nga ajo levizje, e cila permbysi rregjimin komunist, më 1993, i akordoi me vendim te posaqem nga ish Presidenti demokrat Sali Berisha, medaljen “Martiri i Demokracise” me motivacionin: “Luftoi gjithe jeten ne mergim kunder ideologjise komuniste me flamurin e luftes per demokraci”.

Nje shkolle femijesh e ciklit te mesem ne Tamare – Kelmed (Malesia e mbi Shkodres) iu dha emri i tij dhe quhet sot, Shkolla e Mesme “Nik Mernacaj”.

Ky aktivitet mbahet në një kohë kur shumë komunitete, po largohen nga rrënjët e tyre, ndërsa ngjarje si kjo na kujtojnë rëndësinë e kujtesës kolektive.

Duke nderuar 36 vjetët e trashëgimisë së Nik Mrnaçajt, diaspora shqiptare në New York riafirmoi një të vërtetë të përjetshme se : liria e fituar me sakrificë duhet kremtuar, nderuar dhe mbrojtur bashkërisht çdo vit, për të mos harruar dhe mos përsëritur më e kaluara sllavo-komuniste.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB