POSTIMET E FUNDIT

“Travel +Leisure”: Plazhe të kristalta, fshatra historike dhe rrënoja antike, Shqipëria në fokusin e turizmit botëror

Riviera Shqiptare po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare të turizmit, të cilat e përshkruajnë bregdetin shqiptar si një nga destinacionet më të bukura dhe ende të pazbuluara të Evropës.

Në një artikull të publikuar nga revista amerikane e udhëtimit “Travel + Leisure”, shkrimtarja amerikane Ada Calhoun e cilëson rivierën shqiptare si një alternativë të përballueshme kundrejt Côte d’Azur në Francë, duke vlerësuar plazhet me ujëra të kristalta, fshatrat prej guri dhe trashëgiminë e pasur historike.

Autorja tregon përvojën e saj gjatë një udhëtimi njëjavor në Himarë, ku mbeti e impresionuar nga peizazhet natyrore, mikpritja shqiptare dhe qetësia që ofron zona jashtë sezonit turistik. Ajo përshkruan plazhin e Livadhit si një nga më të bukurit në rivierë, me guralecë të bardhë, ujëra të kthjellëta dhe kodra të mbuluara me ullinj.

Në artikull përmendet edhe rruga panoramike përmes Qafës së Llogorasë, të cilën autorja e përshkruan si spektakolare, me pamje mbresëlënëse drejt detit Jon dhe pyjeve me pisha.

Gjatë qëndrimit në Himarë, Calhoun vizitoi edhe Himarën e Vjetër, ku eksploroi rrënoja antike dhe kisha historike, mes tyre Kishën e Shën Sergjit dhe Shën Bakut.

Ajo ndaloi gjithashtu në restorante tradicionale familjare, ku provoi gatime shqiptare si djathi i skuqur me mjaltë, peshku i freskët dhe rakia tradicionale.

Një tjetër ndalesë e veçantë ishte Qeparoi i Sipërm, fshati karakteristik me shtëpi guri dhe rrugica të ngushta, që sipas autores ruan ende atmosferën autentike të Shqipërisë së dikurshme.

Artikulli evidenton edhe përpjekjet për restaurimin e banesave tradicionale dhe kthimin e tyre në bujtina turistike.

Në fokus të reportazhit është vendosur edhe Butrinti, qyteti antik i mbrojtur nga UNESCO, i njohur për trashëgiminë greke, romake, bizantine dhe veneciane.

Përveç natyrës dhe historisë, artikulli vë në dukje edhe kostot relativisht të ulëta të pushimeve në Shqipëri krahasuar me destinacionet e tjera mesdhetare, faktor që po e bën rivierën shqiptare gjithnjë e më tërheqëse për turistët ndërkombëtarë.

Në fund të artikullit, autorja e përshkruan udhëtimin në Shqipëri si një përvojë çlodhëse dhe rigjeneruese, duke theksuar se u largua nga vendi me ndjesinë e qetësisë dhe dëshirën për t’u rikthyer sërish, transmeton abcnews.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB