Nga Dashnim Hebibi
Sot, më 9 maj 2026, në qytetin e Winterthur-it në Zvicër u mbajt festivali ndërkulturor “INTERKULTURELL – Kulturen stellen sich vor”, ku morën pjesë komunitete të shumta nga vende të ndryshme të botës, duke prezantuar traditat, kulturën dhe artin e tyre para publikut zviceran dhe ndërkombëtar.

Një paraqitje të veçantë dhe mjaft dinjitoze pati edhe Ansambli “TROJET”, i cili përfaqësoi me krenari kulturën shqiptare përmes valleve tradicionale, kostumeve kombëtare dhe interpretimit autentik artistik.

Performanca e tyre solli emocione, energji dhe atmosferë festive, duke tërhequr vëmendjen dhe duartrokitjet e të pranishmëve.

Në ambientin festiv të Archplatz / Festzentrum, publiku pati mundësinë të shijojë nga afër pasurinë e folklorit shqiptar, si dhe gastronominë tradicionale me flinë dhe byrekun e përgatitur nga familjet shqiptare në Zvicër.

Pjesëmarrja e Ansamblit “TROJET” në këtë festival u vlerësua si një sukses i rëndësishëm në promovimin e kulturës shqiptare në diasporë dhe në forcimin e lidhjeve kulturore mes komuniteteve të ndryshme.

Përmes muzikës, valleve dhe traditave tona, ansambli vazhdon të mbajë gjallë identitetin kombëtar dhe të përcjellë frymën shqiptare tek brezat e rinj.

Së shpejti do të publikohet edhe një reportazh i veçantë me pamje dhe momente nga kjo ngjarje kulturore madhështore.




