POSTIMET E FUNDIT

Shqiptaro-Amerikanët kërkojnë barazi të plotë për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut

Organizata Shqiptaro-Amerikane për Maqedoninë e Veriut zhvilloi një takim të rëndësishëm me kongresisten Delia Ramirez, përfaqësuese e shtetit të Illinois dhe njëherazi anëtare e “Albanian Caucus” në Kongresin Amerikan. Takimi u realizua në kuadër të angazhimeve të vazhdueshme të organizatës për ndërkombëtarizimin e çështjes së shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe ngritjen e shqetësimeve të tyre në institucionet më të larta amerikane.

Gjatë bisedës, përfaqësuesit e organizatës paraqitën gjendjen aktuale të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar degradimin e vazhdueshëm të të drejtave që burojnë nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Sipas tyre, edhe më shumë se dy dekada pas nënshkrimit, marrëveshja vazhdon të mos zbatohet plotësisht, duke krijuar pabarazi të theksuara për komunitetin shqiptar.

Kongresistja Ramirez u informua me fakte konkrete mbi mosrealizimin e dispozitave kyçe të marrëveshjes, si dhe me vizionin e organizatës për tejkalimin e krizës politike dhe institucionale në vend. Në takim u diskutua edhe për ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon, të cilat sipas organizatës, përmes Serbisë ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë në Maqedoninë e Veriut, duke cenuar stabilitetin dhe orientimin euroatlantik të vendit.

Një pjesë e rëndësishme e diskutimit iu kushtua nevojës për krijimin e mekanizmave efektivë që do të garantonin barazi reale ndërmjet dy komuniteteve më të mëdha në vend — maqedonasve dhe shqiptarëve. Përfaqësuesit e organizatës ngritën shqetësime edhe për moszbatimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve, përfshirë mohimin e së drejtës për dhënien e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Gjithashtu, u diskutua për pakënaqësitë në rritje të të rinjve dhe protestat studentore, të cilat sipas organizatës reflektojnë mungesën e barazisë dhe të perspektivës institucionale për shqiptarët në vend.

Në përmbyllje të takimit, u theksua nevoja për rishikimin e sistemit aktual politik dhe institucional në Maqedoninë e Veriut, me synimin për ndërtimin e një modeli funksional që garanton mbrojtjen e identitetit kombëtar dhe të drejtave gjuhësore, ul tensionet ndëretnike dhe fuqizon kompetencat lokale në arsim, kulturë dhe zhvillim ekonomik rajonal.

Përfaqësuesit e organizatës ritheksuan se synimi i tyre mbetet ndërtimi i një shteti të barabartë për të gjithë qytetarët, ku shqiptarët do të gëzojnë të drejta të plota dhe përfaqësim dinjitoz në çdo nivel institucional./GD

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB