Kryetari i Lëvizja Vetëvendosje dhe kandidati për kryeministër, Albin Kurti, ka mbajtur një fjalim para Këshillit të Përgjithshëm të partisë pas zyrtarizimit të kandidaturës së tij, duke shprehur bindjen se Vetëvendosje mund të arrijë rezultate edhe më të larta në zgjedhjet e ardhshme.
Kurti tha se partia ka shënuar rritje të vazhdueshme të mbështetjes qytetare dhe se, sipas tij, trendi pozitiv mund të vazhdojë deri në zgjedhjet e qershorit.
“Shkurt-dhjetor u rritëm prej 10 për qind, nëse rritemi kaq deri në qershor, do të mund t’i prekim edhe 60 për qind. Nëse punojmë ashtu siç dimë, me sinqeritet, kjo është e mundur. Sa herë po na bllokojnë, ne po rritemi e ata po marrin përgjigje nga populli”, deklaroi Kurti.
Në vazhdim të fjalimit, ai kritikoi opozitën për, siç tha, bllokime institucionale dhe krijim të krizave politike të panevojshme.
“Nuk kishim nevojë për zgjedhje të reja kaq shpejt. Ndoshta dikush që drejton nga hija po mendon se zgjedhjet janë të domosdoshme. Kjo po ndodh sepse kemi një opozitë që ka kuptuar se nuk mund ta mund popullin, por ka zgjedhur ta bllokojë shtetin”, u shpreh ai.
Kurti foli edhe për orientimin evropian të Kosovës, duke e cilësuar Evropën si pjesë të identitetit dhe vlerave të vendit.
“Evropa për Kosovën nuk është stacion i thjeshtë, por vlerë që e mbajmë brenda nesh”, tha ai, duke shtuar se Qeveria po ndërton institucione të bazuara në drejtësi, dinjitet dhe luftë kundër krimit e korrupsionit.
Në fund të fjalimit, kandidati i Vetëvendosjes theksoi përgjegjësinë politike dhe përkushtimin për vazhdimin e rrugës së partisë.
“Është nder dhe përgjegjësi e madhe. Është detyrim historik ndaj jush, ndaj kombit shqiptar dhe Republikës sonë. Me mbështetjen tuaj do ta kalojmë çdo pengesë dhe do të vazhdojmë përpara”, deklaroi Kurti para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, transmeton rtk.




