POSTIMET E FUNDIT

Lidhja Demokratike e Kosovës propozon bashkëpunim me Vjosa Osmani, Abdixhiku kandidat për kryeministër

Kryetari i Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka propozuar që në zgjedhjet e 7 qershorit lista zgjedhore e LDK-së të udhëhiqet nga presidentja Vjosa Osmani si kandidate për presidente, ndërsa ai vetë të jetë kandidat për kryeministër me numrin 2 në listë.

Propozimi është bërë gjatë mbledhjes së përbashkët të Kryesisë qendrore dhe kryetarëve të degëve të LDK-së, ku Abdixhiku tha se synimi është krijimi i një “liste bashkuese” që, sipas tij, bazohet në përgjegjësi shtetërore dhe jo në rehati politike.

“Në këtë listë kam propozuar garim të përbashkët për President të Republikës dhe Kryeministër të Republikës. Kam propozuar që LDK të garojë me presidenten Vjosa Osmani si kandidate për presidente të Republikës dhe njëkohësisht bartëse të listës dhe me mua si kandidat të LDK për kryeministër të Republikës”, deklaroi Abdixhiku para anëtarëve të Këshillit të Përgjithshëm të partisë.

Ai shtoi se këtë propozim po e paraqet për miratim përfundimtar nga strukturat drejtuese të partisë.

Në fjalimin e tij, Abdixhiku theksoi nevojën për bashkim dhe tejkalim të ndasive të brendshme në LDK, duke bërë thirrje për një frymë të re politike dhe mobilizim para zgjedhjeve të ardhshme. Sipas tij, vetëm përmes unitetit dhe bashkëpunimit mund të rikthehet besimi i qytetarëve dhe të ndërtohet një alternativë e fortë politike për vendin, transmeton rtk.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB