POSTIMET E FUNDIT

Ferizaj prezantohet në “Foire de Paris 2026”

Ferizaj po merr pjesë në një nga panairet më të mëdha dhe më të njohura ndërkombëtare në Evropë, “Foire de Paris 2026”, i cili po mbahet në Paris nga 30 prilli deri më 11 maj, duke prezantuar potencialin ekonomik, turistik dhe zhvillimor të qytetit para mijëra vizitorëve dhe përfaqësuesve të bizneseve nga mbarë bota.

Pjesëmarrja e Kosovës në këtë panair është organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në bashkëpunim me Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, me synim promovimin e vlerave ekonomike, turistike dhe kulturore të vendit në tregun ndërkombëtar.

Në kuadër të prezantimit shtetëror, Kosova po promovon sektorë të ndryshëm me potencial zhvillimor, përfshirë turizmin, gastronominë, industrinë ushqimore dhe të pijeve, investimet, eksportin, artizanatin, inovacionin dhe trashëgiminë kulturore.

Një hapësirë e veçantë në panair i është dedikuar edhe komunës së Ferizajt, ku po prezantohen resurset ekonomike, mundësitë për investime, zhvillimi urban, si dhe potenciali turistik dhe kulturor që ofron ky qytet.

Drejtori i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit në Ferizaj, Balton Derguti, i cili po merr pjesë në këtë ngjarje ndërkombëtare, ka vlerësuar rëndësinë e prezantimit të Ferizajt në një panair të përmasave të tilla, duke theksuar se kjo është një mundësi e mirë për të krijuar ura bashkëpunimi me biznese, investitorë dhe institucione ndërkombëtare.

Sipas tij, pjesëmarrja në “Foire de Paris 2026” shërben jo vetëm për promovimin e potencialit ekonomik të komunës, por edhe për rritjen e njohjes së Ferizajt si një destinacion me mundësi të mëdha zhvillimore dhe investuese.

Gjatë ditëve të panairit, vizitorët kanë mundësi të njihen nga afër me ofertën turistike dhe kulturore të Kosovës dhe Ferizajt, përmes materialeve promovuese, produkteve tradicionale, prezantimeve vizuale dhe takimeve me përfaqësues institucionalë dhe të bizneseve.

Pjesëmarrja në panaire ndërkombëtare konsiderohet një hap i rëndësishëm për promovimin ekonomik të komunave të Kosovës dhe krijimin e kontakteve të reja me tregje të huaja, në një kohë kur vendi synon të rrisë investimet e jashtme dhe eksportin e produkteve vendore.

“Foire de Paris” është një nga ngjarjet më të mëdha ekspozuese në Francë dhe Evropë, që mbledh çdo vit mijëra ekspozues dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës, duke ofruar hapësirë për prezantimin e kulturës, biznesit, inovacionit dhe zhvillimit ekonomik, njofton Komuna e Ferizajit, transmeton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB