POSTIMET E FUNDIT

FSK përmbyll me sukses “Kursin Bazë për Snajper” dhe “Kursin e Liderit Luftarak”

Komanda e Doktrinës dhe Stërvitjes (KDS) e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka përfunduar me sukses dy programe të rëndësishme trajnuese – “Kursin Bazë për Snajper” dhe “Kursin e Liderit Luftarak” – duke shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në avancimin e kapaciteteve profesionale, taktike dhe operative të pjesëtarëve të FSK-së.

Sipas njoftimit zyrtar, trajnimet janë realizuar në kuadër të ngritjes së vazhdueshme të gatishmërisë dhe profesionalizmit të forcës, me synim përgatitjen e personelit për sfidat bashkëkohore të sigurisë dhe operacioneve ushtarake.

“Kursi Bazë për Snajper”, i organizuar nga Qendra e Stërvitjes Profesionale, është fokusuar në zhvillimin e aftësive taktike dhe operative të pjesëtarëve të FSK-së në fushën e qitjes precize nga distanca të largëta. Gjatë trajnimit, kursantët kanë kaluar nëpër module të ndryshme teorike dhe praktike, duke përfshirë përdorimin e armëve me kalibra të ndryshëm, teknikave të maskimit, vëzhgimit në terren dhe operimit në kushte të ndryshme taktike.

Ky trajnim konsiderohet ndër komponentët kyç për forcimin e kapaciteteve speciale dhe operative të FSK-së, pasi përgatit pjesëtarët për misione që kërkojnë saktësi të lartë, disiplinë dhe koordinim të avancuar në terren.

Në anën tjetër, “Kursi i Liderit Luftarak”, i zhvilluar nga Shkolla e Nënoficerëve, ka pasur për qëllim ngritjen e aftësive udhëheqëse dhe profesionale të pjesëmarrësve në nivel taktik dhe operacional. Kursantët janë trajnuar në fusha të rëndësishme si udhëheqja ushtarake, planifikimi operacional, komunikimi efektiv, marrja e vendimeve në situata sfiduese dhe zbatimi i procedurave taktike gjatë operacioneve në terren.

Përmes ligjëratave profesionale, simulimeve dhe ushtrimeve praktike intensive, pjesëmarrësit kanë demonstruar nivel të lartë profesionalizmi, disiplinë dhe përkushtim ndaj detyrave të tyre ushtarake.

Në njoftimin e FSK-së theksohet se realizimi me sukses i këtyre kurseve përbën dëshmi të angazhimit të vazhdueshëm të institucionit për ngritjen e standardeve profesionale dhe zhvillimin e kapaciteteve moderne në përputhje me praktikat dhe standardet bashkëkohore ushtarake.

Forca e Sigurisë së Kosovës vazhdon të investojë në edukimin, trajnimet dhe specializimet e personelit të saj, me synim rritjen e efikasitetit operacional dhe përgatitjen e kuadrove profesionale të afta për të përballuar sfidat e sigurisë brenda dhe jashtë vendit, njofton FSK, transmeton helveticALForum.ch.

Latest Posts

spot_imgspot_img

MOS I HUMB