Prishtinë – Gjatë periudhës janar–prill 2026, në Kosovë janë regjistruar 4,699 biznese të reja, ndërsa 477 biznese janë shuar, sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit (MINT).
Të dhënat e Agjencisë së Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës tregojnë se pjesa më e madhe e bizneseve të reja janë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (Sh.P.K), me gjithsej 3,561 të regjistruara. Ndërkohë, janë hapur edhe 1,119 biznese individuale, 12 degë të shoqërive të huaja, 6 shoqëri aksionare dhe 1 zyrë përfaqësuese e huaj.
Sipas statistikave zyrtare, edhe te bizneset e shuara dominojnë bizneset individuale. Nga 477 bizneset e mbyllura, 371 kanë qenë biznese individuale, ndërsa 99 kanë qenë shoqëri me përgjegjësi të kufizuar.
MINT vlerëson se trendi i regjistrimit të bizneseve të reja reflekton interesimin në rritje për zhvillimin e aktivitetit ekonomik dhe sipërmarrjes në vend. Ministria ka ritheksuar përkushtimin për mbështetjen e sektorit privat dhe avancimin e shërbimeve për bizneset.
“Cilësi, shpejtësi dhe përkushtim në çdo shërbim”, thuhet në deklaratën e ministrisë, duke nënvizuar synimin për krijimin e një ambienti më të favorshëm për zhvillimin e bizneseve dhe investimeve në Kosovë. Ekspertët ekonomikë vlerësojnë se rritja e numrit të bizneseve të reja është një sinjal pozitiv për ekonominë, megjithëse sfidat që lidhen me financimin, fuqinë punëtore dhe tregun mbeten ende prezente për ndërmarrësit kosovarë, transmeton rtk.




